Ndërlidhjet

"Shqiponjat e Bardha" marrin mbi vete vrasjen e Salkoviqit



Një organizatë që veten e quan “Shqiponjat e Bardha”, ka marrë përsipër, nëpërmjet një letre, vrasjen e Shefko Salkoviqit, një punonjësi të KQZ-së, në fshatin Postenje të Leposaviqit.

Kjo organizatë, përmes një letre të lënë në vendin e ngjarjes, ka marrë përsipër gjithashtu edhe sulmin në natën ndërmjet të shtunës dhe së dielës, ndaj një zyreje të KFOR-it danez në Zubin Potok.

Zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Besim Hoti, tha për Radion “Evropa e Lirë”, se policia ka marrë letrën dha ajo tashmë është bërë, pjesë e hetimeve të nisura.

“Është një letër e shkruar në kompjuter edhe përmbajtja e letrës është shumë domethënëse. Mendojmë se ajo duhet të shqyrtohet. Letra po ashtu duhet të shqyrtohet edhe se sa është valide”, tha Hoti.

Hoti, nuk ka dhënë detaje të hollësishme duke thënë se ende nuk dihet se për kë bëhet fjalë.

“Ne ende nuk e kemi identifikuar se a bëhet fjalë për organizatë apo dikë tjetër; nuk guxojmë të paragjykojmë asgjë ”, deklaroi Hoti.

Hoti ka konfirmuar se në bashkëpunim me EULEX-in, hetimet po vazhdojnë dhe se ato janë duke shkuar në disa drejtime.
XS
SM
MD
LG