Ndërlidhjet

Vëzhguesit: Të zvogëlohet kultura e mosndëshkimit


Qendra e numërimit të votave në Prishtinë.
Qendra e numërimit të votave në Prishtinë.
Disa misione ndërkombëtare që po monitorojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, e kanë cilësuar përgjithësisht të rregullt procesin e së dielës, mirëpo kanë shprehur shqetësimin e tyre për një varg parregullsish në komunën e Skenderajt dhe atë të Drenasit. Ato kanë kërkuar që autorët e manipulimeve, në rast se vërtetohen, të ndiqen penalisht.


Delegacioni vëzhgues i Parlamentit Evropian që po mbikëqyr ecurinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, ka vlerësuar se procesi në përgjithësi ishte organizuar mirë dhe se pjesëmarrja në votime, siç thuhej, inkurajon zhvillimin e demokracisë në vend.

Megjithatë, “akuza serioze për manipulime” në komunën e Skenderajt dhe të Drenasit thuhet se i janë bërë të ditura këtij delegacioni.

Eurodeputetët u kërkuan institucioneve përgjegjëse t’i ndërmarrin masat e nevojshme ligjore për t’i zgjidhur problemet që flasin për mashtrime në këto dy komuna.

Doris Pak
Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pak, theksoi domosdoshmërinë që kryesit e parregullsive të vihen para ligjit.

“Kryesit e identifikuar të veprave duhet të ndiqen penalisht menjëherë, në përputhje me ligjin, për të zvogëluar kulturën e mosndëshkimit”, u shpreh ajo, duke u bërë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe partive politike që t’i respektojnë institucionet dhe të kenë besim në to.

Mekanizmi përgjegjës, i cili merret me shqyrtimin e ankesave të subjekteve politike, është Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Eurodeputetja Ulrike Lunaçek tha se partitë politike duhet t’i drejtohen këtij paneli lidhur me pakënaqësitë për ecurinë e procesit zgjedhor në dy komunat në fjalë.

Ulrike Lunaçek
“Është e rëndësishme që qytetarët dhe partitë t’i drejtohen fillimisht PZAP-it për t’i paraqitur ankesat e tyre. Nëse ankesat nuk merren seriozisht, ato duhet ta bëjnë publike dhe këtë. Ne do t’i dëgjojmë ato nëse sërish ka probleme dhe nëse nuk shqyrtohen ankesat”,
u shpreh Lunaçek.

Sipas shifrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrjen në votime, në Skenderaj kanë votuar 93.68% e qytetarëve, ndërsa në komunën e Drenasit kutive të votimit u janë drejtuar 86.94%.

Rrjeti evropian i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve (ENEMO), në kuadër të vlerësimeve paraprake për zgjedhjet, që u publikuan gjatë ditës, nuk përjashtoi mundësinë që të dhënat për pjesëmarrjen në votime në këto dy komuna, të jenë “posaçërisht të diskutueshme”.

“Gjatë ditës së votimit ka pasur disa pretendime për manipulim dhe frikësim në disa zona. Në veçanti, procesi është sfiduar nga disa vëzhgues në Skenderaj dhe Gllogovc, ku jehona paraprake e votimit ka shkaktuar brengosje”
, thuhet në një komunikatë për media të ENEMO-s.

Pavarësisht informatave që flasin për parregullsi në komunën e Skenderajt dhe të Drenasit, deputetët e Parlamentit Evropian vlerësuan se ecuria e zgjedhjeve në këto dy komuna nuk mund ta ndikojë përfundimin përgjithësisht pozitiv të procesit.

Kohë më parë, diplomatët evropianë patën theksuar se Qeveria e Kosovës, që do të dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, do të jetë përgjegjëse për zhvillimin e bisedimeve me Beogradin zyrtar.

Pak tha se tani është krijuar një moment, i cili inkurajon faktorët relevantë që t’i shfrytëzojnë mundësitë për t’i kontribuuar stabilitetit të mëtejmë rajonal.

“Andaj, delegacioni shpreson në krijimin e shpejtë të kuvendit, qeverisë, sikurse edhe në zgjedhjen e presidentit”, tha Pak.

Delegacioni i PE-së është udhëhequr nga Doris Pak, përfshirë Eduard Kukan, Juta Shtainruk, Françesko de Angelis, Jelko Kacin, Fiona Hall dhe Ulrike Lunaçek. Kjo e fundit është gjithashtu raportuesja e PE-së për Kosovën.
XS
SM
MD
LG