Ndërlidhjet

logo-print

FT: Rusët kanë rrugë të gjatë drejt demokracisë


Riçard Pipes

Riçard Pipes

"Financial Times"

Riçard Pipes, historian i nderuar amerikan dhe anti-komunist i përbetuar, i tha një grupi të madh të gazetarëve rusë, këtë fundjavë, se vendi i tyre, nga presioni i sundimit totalitar mijëvjeçar, ishte thellësisht jodemokratik dhe se, me gjasë, do të duhet një shekull për zhvillimin e shoqërisë civile dhe të hapur.

Për këto konstatime, ai mori duartrokitje të përzemërta.

I lindur në Poloni, zoti Pipes, 87-vjeçar, është njëri nga gjigantët e historisë së Rusisë dhe të komunizmit. Sikur ish-presidenti Roland Reagan, në të cilin ai kishte ndikim, Riçard Pipes e ka mbajtur besimin e fuqishëm për sistemin djallëzor, të cilin ai e ka studiuar.

Ai dhe librat e tij ishin të ndaluar në ish-Bashkimin Sovjetik për shumë vite. Tash, ai është vizitor i shpeshtë i Rusisë.

Jashtë pallatit, ku gazetarët ishin tubuar në një institut të periudhës ish-sovjetike, për një konferencë lidhur me shoqërinë civile - përkthimi rus i librit të tij nga viti 1999, Prona dhe Liria, është shitur shumë pas fjalimit të tij.

Në konferencën e organizuar nga Shkolla e Studimeve Politike në Moskë, ishte paraparë që para një audience në masë të madhe të re, të paraqiteshin argumentet dhe analizat, që shpeshherë mungojnë në Rusi.

Zoti Pipes gjeti shumë dëgjues dashamirës në këtë audiencë - ashtu sikur edhe folësit e tjerë, kryesisht gazetarë rusë dhe të jashtëm - në shkallë të ndryshme të depresionit lidhur me gjendjen në Rusi.

Për shkak të rrethanave, konferenca nuk mund të regjistrohej, pasi askush nuk dëshironte që të citohej.

Ata kanë punë, ndërsa kohërat po bëhen gjithnjë e më të vështira dhe në rajonet larg nga qendrat më liberale në Moskë dhe Shën Petersburg, reputacioni radikal mund të jetë rrugë për mbetje pa punë, ose edhe më keq.

WikiLeaks-i ishte temë fascinuese e konferencës. Kur ishte shtruar pyetja lidhur me dokumentet e zbuluara përkitazi me deklaratën e ambasadorit amerikan në Moskë, Xhon Beyrle, dhe gjyqtarit spanjoll, Hose Grinda, që raportohet se e shihnin Rusinë si të korruptuar dhe shtet mafioz, pothuajse të gjithë ishin përgjigjur “çka pra”...

Për ta, më i rëndësishëm ishte shembulli se WikiLeaks-i ka ofruar aftësinë e Internetit për t’i goditur hapësirat në një sistem autoritar, megjithëqë shumë prej tyre e dënuan shkuarjen shumë larg të çështjes.

Interneti, që tash po përhapet në mënyrë rapide, në dy vjetët e fundit është bërë shumë më i pasur në Rusi, me zëra ndikues, që shkruajnë në mënyrë kritike për një audiencë të caktuar.

Në këtë kuadër, sulmi i muajit të kaluar kundër gazetarit Oleg Kashin, kishte shkaktuar një stuhi në Internet dhe i kishte sjellë gazetarët e të gjitha ngjyrave së bashku.

“Gazetarët zakonisht nuk tregojnë solidaritet të këtillë”, tha Andre Nikitinsky, autor i “Novaja Gazeta”-s, që është njëra nga pak gazetat e hapura kritike.

Në kohën e pesimizmit të madh, që ka arritur pothuajse edhe në Kremlin, disa nga gazetarët e rinj rusë duket se kanë gatishmëri që të përpiqen t’i mbajnë përgjegjëse autoritetet dhe besojnë se teknologjia do të ndihmojë.

Por, historiani amerikan, Riçard Pipes, u përkujtoi atyre se kjo me gjasë do të jetë “rrugë e gjatë”. (f.b.)
XS
SM
MD
LG