Ndërlidhjet

logo-print
Përfaqësuesit e pesë subjekteve politike serbe, të cilat kanë garuar në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, kanë kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në komunën e Shtërpcës dhe në atë të Graçanicës.

Përfaqësuesit e Listës së Përbashkët Serbe, të Partisë Social-Demokrate Serbe, të Partisë Demokrate Serbe të Kosovës dhe Metohisë, të Partisë Popullore Serbe dhe të Partisë Serbe të Kosovës e Metohisë, në një konferencë të përbashkët për media në Çagllavicë, kanë akuzuar Partinë Liberale Serbe për keqpërdorim të procesit zgjedhor.

Rada Trajkoviq, nga Lista e Përbashkët Serbe, ka thënë se në disa vendvotime në mjediset serbe ka pasur parregullsi, siç i ka quajtur ajo, të tmerrshme dhe të shumta. Lidhur me këtë, ajo ka thënë se është lajmëruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Më duhet t’ju njoftoj se gjatë ditës së djeshme ne kemi deponuar ankesën. Kërkojmë t’i hedhim poshtë zgjedhjet në Shtërpcë dhe në Graçanicë. Vendvotimet në Dobratin, Gushtericë dhe rrethinë janë mbyllur për shkak të parregullsive të tmerrshme”, ka thënë Trajkoviq.

Sllavisha Petkoviq, nga Partia Social-Demokrate Serbe, ka thënë se ekzistojnë fakte të regjistruara, se Partia Liberale Serbe ka korruptuar zgjedhësit.

“Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare tashmë i kanë të gjitha ato, për të cilat ne po flasim. Ata i kanë shënimet policore, video-xhirimet dhe audio-incizimet, jo vetëm tonat, por edhe të disa partive tjera, për korrupsionin dhe kriminalitetin brutal”.

“Unë sinqerisht pres që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Paneli për Ankesa t’i marrin parasysh këto, për të cilat ne flasim sot, sepse janë ofruar fakte relevante dhe valide”,
është shprehur Petkoviq.

Serbët e veriut kishin bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve parlamentare.
Rada Trajkoviq ka thënë se pret që bashkësia ndërkombëtare të bëjë përpjekje që të ndihmohet në arritjen e rezultatit legjitim. Ajo ka thënë se është skeptike lidhur me mundësitë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të ruajë korrektësinë e procesit zgjedhor.

“Institucionet nga Prishtina, të cilat e kanë udhëhequr procesin zgjedhor - mendoj për KQZ-në - kam frikë se ende nuk i kanë arritur kapacitetet që në mënyrë të përgjegjshme ta udhëheqin këtë proces zgjedhor. Kjo ka treguar një varg mangësish, në kuptimin e asaj që ka ndodhur në terren, e që ata nuk e kanë penguar”, ka thënë Trajkoviq.

Ajo ka kritikuar edhe Beogradin zyrtar, duke thënë se ai ka gabuar që nuk i ka përkrahur serbët në mënyrë aktive që ata të dalin në zgjedhje. Kjo kritikë, sipas Trajkoviqit, është bazuar në faktin që në mjediset ku janë formuar komunat e reja serbe, dalja në zgjedhje ka qenë më masive.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG