Ndërlidhjet

Shtypi botëror për zgjedhjet

  • RFE /RL

Graçanicë

Graçanicë

Zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur përfunduan me një garë të ngushtë mes dy partive në pushtet, që e shpallën shkëputjen nga Serbia, shkruan “Financial Times”.

Gazeta pohon se Bashkimi Evropian shpreson për formimin e një koalicioni stabil, në mënyrë që të fillojnë bisedimet me Serbinë në fillim të vitit të ardhshëm.

Brukseli shpreson se këto dy vende eventualisht do të bëhen anëtare të Unionit. Bashkimi Evropian i konsideron zgjedhjet e suksesshme si të rëndësishme për integrimet e ardhshme të Kosovës.

“Financial Times” shkruan se bojkoti në zgjedhjet shkaktoi dalje të ulët të serbëve në veriun e dominuar nga serbët. Por, dalja ishte shumë më e lartë në enklavat serbe, të cilat kanë lidhje më të dobëta me Beogradin, pohon gazeta britanike.

E përditshmja “Guardian” i transmeton deklaratat e liderëve kosovarë pas mbylljes së vendvotimeve dhe shpalljen e fitores nga ana e kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçi.

Shumë votues ankohen se nuk ka pasur përmirësime të dukshme të ekonomisë 11 vjet pas bombardimeve të NATO-s kundër trupave serbe, që i dhanë fund luftës në Kosovë.

“Guardian” shkruan se zyrtarët e Bashkimit Evropian pohojnë se votimet janë shenjë e pjekurisë për shtetin e ri, i cili njihet nga 72 vende anëtare të OKB-së. Por, ata privatisht janë të shqetësuar nga mundësia se trazirat etnike mund të çojnë në ndarjen e Kosovës në pjesën veriore me serbë dhe pjesën jugore me shqiptarë.

Në shenjë integrimi të shtuar, serbët e ndërprenë traditën dhe dolën të votojnë në zonat në brendi të Kosovës, shkruan “Guardian”.

Gazeta thotë se votuesit serbë dukeshin të relaksuar teksa prisnin ta hedhin votën e tyre afër qendrave ku flamujt e Serbisë dhe të Shteteve të Bashkuara valëvitnin pranë njëri-tjetrit - një skenë që nuk mund të paramendohej vetëm disa vjet më parë.

“Guardian” shkruan se nuk ka shqetësime se rezultati i zgjedhjeve mund ta destabilizojë Kosovën dhe ta rrezikojë fillimin e bisedimeve me Serbinë.

E përditshmja “Independent” shkruan se të gjitha partitë e mëdha e mbështesin integrimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, vazhdimin e procesit të privatizimit dhe fillimin e bisedimeve me Serbinë.

Gazeta shkruan se shqetësimi më i madh i votuesve kosovarë kanë qenë varfëria dhe papunësia e paparë. (v.p.)
XS
SM
MD
LG