Ndërlidhjet

Thaçi: Vdekja e Hollbrukut – humbje e interesave të Kosovës


Kryeministri i Kosovës në dorëheqje, Hashim Thaçi, i ka dërguar telegram ngushëllimi presidentit amerikan, Barak Obama, me rastin e vdekjes së diplomatit Riçard Hollbruk.

“Me pikëllim morën lajmin për vdekjen e veteranit të diplomacisë amerikane, Riçard Hollbruke”, shkruan Thaçi dhe shton se i ndjeri “ishte ndër diplomatët më të njohur në nivel botëror, që dha kontribut të shquar në të gjitha misionet, duke treguar cilësitë e larta individuale dhe përfaqësimin e denjë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndërtimin e paqes anembanë globit”.

Sipas zotit Thaçi, “vdekja e veteranit të diplomacisë amerikane është humbje e madhe, jo vetëm për SHBA-të, por edhe për popujt, për të cilët ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e paqes dhe arritjen e lirisë”

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, thotë se “për qytetarët e Kosovës, vdekja e Riçard Hollbrukut është humbje e një miku dhe një zëri mbrojtës të interesave të Republikës së Kosovës”.

Thaçi në fund të telegramit të tij për presidentin Obama, thotë: “në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”.
XS
SM
MD
LG