Ndërlidhjet

logo-print
Diplomati amerikan, Riçard Hollbruk, në Kosovë njihet për rolin që ka pasur në vitin 1998, në kohën e përpjekjeve të tij diplomatike për t’i dhënë fund dhunës që forcat serbe të sigurimit ushtronin mbi shqiptarët e Kosovës.

Ai më së shumti do të mbahet në mend mbase për ultimatumin që në mars të 1999-ës i pati dhënë Sllobodan Millosheviqit, se NATO-ja do të bombardojë nëse agresioni serb ndaj Kosovës nuk ndalet.

Udhëheqësit e institucioneve thonë se kontributi që Hollbruk ka dhënë edhe në rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve demokratike, është i padiskutueshëm.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i tha Radios Evropa e Lirë se me keqardhje ka marrë lajmin për vdekjen e diplomatit Hollbruk.

“Shumë popuj që sot jetojnë në paqe, jetojnë falë angazhimit të pakursyer të diplomatit Riçard Hollbruk. Roli i tij për paqen, sigurinë, por edhe për shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, konsideroj se ka qenë i madh”, u shpreh Krasniqi.

Ai rikujton edhe takimet që ka pasur me zotin Hollbruk, pas përfundimit të luftës në Kosovë.

“Ne gjithnjë e kemi parë si një njeri me një mprehtësi të lartë politike e diplomatike. E kemi parë si një mbështetës të fortë të proceseve që janë zhvilluar në Kosovë. Kontributi i tij si individ në ndërtimin e institucioneve dhe në rrugën demokratike që ka marrë Kosova, ka qenë i madh. Ai ka qenë i afërt, i drejtpërdrejtë”,
tha Krasniqi.

Blerim Shala ka qenë zëdhënës i Grupit Negociator në 1998-ën - një grup ky, i cili qe përfshirë në përpjekjet diplomatike të faktorit ndërkombëtar, për të ndalur dhunën e forcave serbe në Kosovë.

Shala tha se pa diplomatin Hollbruk, Kosova kurrë nuk do të pavarësohej.

“Ambasadori Hollbruk ka qenë ndërmjetësues në vitet 98/99. Pa Hollbrukun, Kosova kurrë nuk do të çlirohej dhe nuk do të pavarësohej”,
tha Shala.

Sipas tij, diplomati Hollbruk ka qenë një negociator i pazëvendësueshëm.

“Hollbruku me të vërtetë ka qenë njeri i dijes së jashtëzakonshme, i guximit të veçantë, negociator i përsosur, i cili ka qenë në gjendje të nxjerrë maksimumin prej një situate gati pa shtegdalje. Ai ka hisen kryesore në inkuadrimin e SHBA-ve në procesin negociator. Ka hisen kryesore në ndaljen e ofensivës serbe në vjeshtën e vitit ‘98 kundër UÇK-së”.

“Gjithsesi, ka hisen kryesore edhe në prurjen e situatës ku Sllobodan Milloshevqi nuk kishte shtegdalje tjetër pos të pranonte bombardimin e paktit NATO”,
u shpreh Shala.

Përveç përfaqësuesve të institucione të Kosovës, keqardhje për vdekjen e diplomatit amerikan, Riçard Hollbruk, kanë shprehur edhe krerët e partive politike në vend.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG