Ndërlidhjet

logo-print

Në pritje të zgjidhjes së ankesave


Qendra e numërimit të votave në Fushë-Kosovë.

Qendra e numërimit të votave në Fushë-Kosovë.

Përfaqësues të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa thonë se brenda afatit ligjor do t’i kumtojnë vendimet për 171 ankesat lidhur me zgjedhjet parlamentare të së dielës. Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të zbatojnë ligjin lidhur me parregullsitë e zgjedhjeve. Ky rrjet publikoi gjatë ditës të dhënat për procesin zgjedhor në komunën e Drenasit dhe atë të Skenderajt, në të cilat vlerësohet se ka pasur një varg shkeljesh.



Rrejti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka publikuar të dhënat preliminare për ecurinë e përgjithshme të zgjedhjeve parlamentare dhe ato për komunën e Skenderajt dhe të Drenasit.

Për shkak të parregullsive të evidentuara nga vëzhguesit e këtij rrjeti, këto dy komuna ishin përjashtuar nga rezultati preliminar i “Demokracisë në Veprim” për zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Në një konferencë për media, kreu i “Demokracisë në Veprim”, Ismet Kryeziu, foli për llojin e shkeljeve që janë bërë në Skenderaj dhe Drenas.

Ai tha se, ndër të tjera, ka pasur raste ku numri i fletëvotimeve në kutitë e votimit ka kaluar numrin e personave të regjistruar në regjistrin e votuesve, pastaj falsifikim të nënshkrimeve në listën përfundimtare të votuesve, raste të daljes 100% - që thuhet se nuk është e zakonshme për të gjitha vendvotimet e tjera në Kosovë - si dhe parregullsi të tjera.

Kryeziu tha se ka bazë për të kërkuar anulimin e rezultateve në të gjitha vendvotimet ku janë evidentuar parregullsi, ndërsa theksoi se në rast se shkeljet konfirmohen nga mekanizmat përgjegjës, duhet të kërkohet shpallja e rivotimit.

“Absolutisht, në të gjitha ato vendvotime të Kosovës ku janë vërejtur parregullsi dhe ku Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vlerëson se ka parregullsi, kërkojmë ripërsëritje të të gjitha atyre vendvotimeve”, tha ai.

Që nga nisja e procesit zgjedhor mësohet se Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i janë dorëzuar 307 ankesa.

Kryeshefi i Sekretariatit të PZAP-it, Mul Desku, tha se gjatë fushatës zgjedhore ky panel ka pranuar 136 ankesa, për të cilat janë marrë vendime.

Ai bëri të ditur se më 12 dhjetor ky panel ka pranuar 40 ankesa, ndërsa prej kohës së mbylljes së vendvotimeve PZAP-it i janë dorëzuar 131 ankesa të tjera.

Desku tha se aktualisht po shqyrtohen me intensitet të gjitha ankesat që ka pranuar Paneli gjatë ditës së diel dhe se vendimet për to do të merren brenda afatit ligjor.

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do ta respektojë afatin ligjor, i cili është 72 orë”, tha ai.

Edhe përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë kanë theksuar rëndësinë që të priten vendimet e PZAP-it për ankesat e partive politike, para se të merren vendimet e ardhshme eventuale lidhur me procesin zgjedhor.

Ky komision, të hënën, shpalli rezultatet preliminare për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare - rezultate këto që u kontestuan nga disa subjekte politike.

Thirrjeve të diplomacisë dhe mekanizmave vëzhgues ndërkombëtarë për vënien e ligjit lidhur me parregullsitë gjatë procesit zgjedhor, iu bashkëngjit dhe “Demokracia në Veprim”. Kryeziu theksoi:

“'Demokracia në Veprim' u bën thirrje të gjitha institucioneve kompetente e kushtetuese që t’i ndërmarrin të gjitha masat e përcaktuara me ligj, për të vënë në vend votën e lirë të qytetarëve të Kosovës”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG