Ndërlidhjet

Shtyhet gjykimi i të dyshuarve për trafikim organesh


Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka nisur të martën seanca e konfirmimit lidhur me një rrjet të dyshuar për trafikim me organe njerëzore.

Shtatë kosovarët të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në aktivitete të ndryshme të trafikimit me organe thuhet se janë paraqitur para një paneli gjykatësish të misionit evropian për sundimin e ligjit.

Gjatë seancës atyre u janë lexuar akuzat nga prokurori evropian; pesë prej të akuzuarve janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa dy të tjerët kanë heshtur, që sipas ligjit, thuhet se nënkupton deklarimin e pafajësisë.

Mirëpo, zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, bëri të ditur se seanca e konfirmimit është shtyrë për 6 janar të vitit të ardhshëm.

“Ka pasur pastaj disa mosmarrëveshje ligjore lidhur me futjen e disa materialeve në dosjet e rastit dhe për këtë arsye seanca e konfirmimit u shtye për datën 6 janar të 2011”, tha ajo.

Të akuzuarit ballafaqohen me akuza duke u nisur nga trafikimi i personave, deri te ushtrimi i paligjshëm i aktiviteteve mjekësore dhe abuzimi i pushtetit.
XS
SM
MD
LG