Ndërlidhjet

Serbët me dy politika


Graçanicë
Graçanicë
Pjesëmarrja e serbëve të Kosovës qendrore në zgjedhjet parlamentare dhe bojkotimi i këtyre të fundit nga serbët e veriut të Kosovës, shpërfaqin politikat e dyfishta të Beogradit zyrtar karshi serbëve që jetojnë në Kosovë, thonë analistët e çështjeve politike. Por, sipas tyre, këto politika nuk i bëjnë humbës as serbët e Kosovës qendrore e as ata të veriut.

Analisti Behlul Beqaj thotë se është bërë ndarja e politikave midis serbëve besnikë ndaj Beogradit dhe atyre që synojnë integrimin.

“Fillimisht po kërkohet një zgjidhje në kuadër të pjesëmarrjes së serbëve në institucionet e Kosovës, për serbët që janë, siç thonë ata, në jug të Ibrit, si dhe një politikë tjetër në veri të Ibrit. Këta që janë në jug të Ibrit kanë qenë pjesëmarrës në zgjedhje dhe kurrsesi nuk mund të konsiderohen si humbës”.

“Përkundrazi, mund të jenë vetëm faktor, pa të cilin nuk mund të përpilohet asnjë politikë në Kosovë, posaçërisht duke marrë parasysh ndikimin e faktorit ndërkombëtar, që ka të bëjë edhe me interesimin rreth komunitetit serb dhe pakicave të tjera”,
thotë Beqaj.

Momçillo Arllov, drejtor i Qendrës për zhvillimin e shoqërisë civile në veriun e Mitrovicës, thotë se dalja e serbëve në zgjedhje ka qenë e pritshme në Kosovën qendrore, ashtu siç ka qenë i pritshëm edhe bojkotimi i zgjedhjeve nga serbët e veriut.

Sipas tij, pjesëmarrja e serbëve të Kosovës qendrore do të jetë e favorshme varësisht nga angazhimi i tyre në institucionet e Kosovës.

“Dobia që mund ta kenë serbët e Kosovës në anën jugore të lumit Ibër nga zgjedhjet parlamentare të Kosovës, varet drejtpërdrejt nga integrimi i tyre, rritja e përgjegjësive dhe definitivisht nga angazhimi më i madh i përfaqësuesve të zgjedhur serbë në Qeverinë e Kosovës”, deklaron Arllov.

Analisti Beqaj thotë se liderët e serbëve të Kosovës qendrore kanë paralajmëruar se do t’i kenë parasysh interesat e serbëve që jetojnë në pjesën veriore të lumit Ibër. Nisur nga ky fakt, sipas tij, serbët e veriut do të jenë në avantazh.

“Çështja e serbëve të veriut mbetet të diskutohet dhe do të jetë me siguri produkt i politikës specifike, që do ta ketë pushteti serb. Me këtë pozitë, ata po llogarisin se në bisedat e ardhshme do ta faktorizojnë edhe më shumë veten”, thotë Beqaj.

Por, sipas Arllovit, nuk mund të thuhet me siguri nëse kanë humbur apo fituar serbët e veriut të Kosovës, për shkak të mospjesëmarrjes në zgjedhje.

“Në situatën momentale, mund të thuhet edhe po, edhe jo. Veriu i Kosovës, në konstalacionin e tashëm të forcave, ende mbetet adut në duart e Beogradit zyrtar, me të cilin ai do të hyjë në raundin e bisedimeve teknike me Prishtinën. Nga kjo perspektivë, serbët e Kosovës nuk humbin”.

“Megjithatë, ende mbetet dilema se a po shkojmë drejt pajtimit dhe zgjidhjes së disa çështjeve teknike me interes për jetën e përditshme të të gjithë qytetarëve, apo përsëri po kthehemi në drejtim të ndarjes. Ndarja në këtë moment më shumë i shkakton dëm sesa dobi bashkësisë serbe”,
konkludon Arllov.
XS
SM
MD
LG