Ndërlidhjet

Ndërhyrja e politikës në drejtësi


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave ka publikuar raportin “Forcimi i Sundimit të Ligjit në Kosovë”, me fokus primar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas këtij raporti, sistemi i drejtësisë në vend është i ndikuar nga politika dhe autoritete kompetente nuk janë treguar të gatshme për ta luftuar këtë dukuri.


“Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë i brishtë, për shkak të ndërhyrjeve politike; në gjykatat e Kosovës kanë mbetur 200.000 raste civile dhe penale të pazgjidhura, ndërsa mungon legjislacioni për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe marrëveshjet për bashkëpunim rajonal për mbrojtjen e viktimave”.

Këto janë disa nga gjetjet e Institutit Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), sa i përket sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë, me fokus primar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ariana Qosaj-Mustafa, drejtore e hulumtimeve në KIPRED, tregon se realizimi i raportit të publikuar sot, ka nisur në muajin prill, për të përfunduar në nëntor të këtij viti.

Gjatë kësaj periudhe, thotë ajo, përpjekjet për eliminimin e përfshirjes së elitës politike në jetën ekonomike dhe hetimet rreth aferave korruptive të zyrtarëve të lartë, kanë qenë në nivel të dobët.

Informatat lidhur me nivelin e korrupsionit ende mbesin në nivel të anekdotave dhe thashethemeve. Këtë e themi me plot përgjegjësi, për shkak se ende nuk e kemi krijimin e një dosjeje të caktuar të hetimeve, të përndjekjeve penale si dhe të dënimeve të rasteve të korrupsionit dhe të krimit të organizuar – diç kjo që është përmendur si sfidë e madhe edhe në Raportin e Progresit 2010 për Kosovën”, thotë Qosaj-Mustafa.

Sipas saj, ndonëse ekzistojnë mekanizma dhe strategji kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mungesa e vullnetit politik vazhdon të jetë problem për të përkrahur zbatimin e tyre.

Qosaj-Mustafa thotë se dyshimet për përfshirjen e stafit administrativ dhe politik në afera korrruptive, do të vazhdojnë për shkak të sanksioneve të vogla ligjore.

EULEX-i do të duhej të ngrejë përkrahjen e policisë profesionale, që do t’i ndihmonte Policisë së Kosovës në hetimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Kosova, gjatë vitit 2011, do të duhej të tregonte se ka kapacitete për luftim të krimit dhe korrupsionit. Nëse nuk do të mund të japim raste të hetimeve dhe dënimeve, do të çalojmë dhe do të jemi në rrezik për t’u treguar si një shtet i dështuar”,
thotë Qosaj-Mustafa.

Në raport, mes tjerash, thuhet se gjyqtarët dhe prokurorët e misionit të EULEX-it vazhdojnë të kenë një mandat ekzekutiv në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërsa ky mision, vijon raporti, prej muajit prill deri në tetor të këtij viti ka marrë vendim vetëm në tri raste të krimit të organizuar dhe në katër raste të korrupsionit.

Ramadan Ilazi, nga Lëvizja Fol, thotë se sfidë kryesore në luftimin e korrupsionit mbetet moskoordinimi i institucioneve përgjegjëse rreth kësaj çështjeje.

Lëvizja Fol ka kërkuar që të ketë një trup, një forum, apo këshill koordinues. Prokuroria speciale ka bërë një punë, të themi të mirë, por nuk ka koordinim në mes institucioneve. Nuk ka koordinim në mes Agjencisë Kundër Korrupsionit, mes doganave... Nuk ka një forum, ku të gjitha këto institucione takohen dhe ndajnë mes vete informatat që kanë“, thotë Ilazi.

Një ndër rekomandimet e Institutit Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave drejtuar autoriteteve përgjegjëse, është që menjëherë pas formimit të qeverise se re, Ministria e Drejtësisë të procedojë për miratim draft-ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG