Ndërlidhjet

logo-print

"Do të ketë debat në Kosovë, në Shqipëri dhe në pjesë të tjera të Ballkanit. Ajo që kam kuptuar është se Këshilli i Evropës do ta nxisë zhvillimin e këtij debati", thotë për Radion Evropa e Lirë gazatari i "Guardian"-it, Pol Leuis (Paul Lewis).




RADIO EVROPA E LIRË
Keni publikuar një artikull në “Guardian”, bazuar në raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, lidhur me akuzat për trafikim organesh nga pjesëtarë të UÇK-së. Në artikull i referoheni raportit të zotit Marti, se në krye të këtij grupi “të tipit mafioz” qëndron kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi.

A prisni që raporti, i cili do të bëhet publik të enjten, të jetë i njëjtë me atë që keni parë ju? A ka gjasa për ndonjë ndryshim?

POL LEUIS
Do të jetë saktësisht i njëjti raport, që do të diskutohet të enjten në Këshillin e Evropës. Kam pasur paraprakisht një kopje të raportit që është dorëzuar në KE.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, nuk keni ndonjë dyshim në atë që keni publikuar në “Guardian”?

POL LEUIS
Jo, kam besim të plotë.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni një gazetar me përvojë. Pasi e keni lexuar raportin e zotit Marti, cila ishte ndjesia juaj? Akuzat e paraqitura, a kishin bazë të fortë?

POL LEUIS
Më lejoni të shpjegoj pak raportin. Raporti është bazuar mbi provat që ka mbledhur zoti Marti dhe ekipi i tij gjatë periudhës së kërkimeve.

Këto prova përfshijnë informacione nga burimet e ekipit të zotit Marti, por edhe nga FBI-ja dhe agjencitë e tjera të sigurisë dhe shërbimeve të zbulimit. Mendoj se informacionet e mbledhura e kanë lejuar zotin Marti t’i bëjë këto pretendime serioze, se kryeministri i Kosovës ka lidhje me krimin e organizuar.

Këto informacione janë të besueshme ashtu siç i ka parë ai dhe nuk do t’i bënte këto pretendime nëse nuk i besonte.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e lexuat raportin. Si gazetar, a mendoni se raporti i zotit Marti ka bazë të qëndrueshme?

POL LEUIS
Si gazetar, nuk kam të drejtë të kem opinionin tim, vetëm raportoj lajmin. Por, unë vetë nuk do ta kisha shkruar artikullin nëse do të mendoja se raporti nuk ishte i besueshëm.

Vetë zoti Marti ka dëshmuar punë serioze në të shkuarën. Raporti i tij i fundit ka qenë për operacionet e CIA-s në Evropë, lidhur me burgosjen e të dyshuarve për terrorizëm.

Raportin për Kosovën, Këshilli i Evropës ia kërkoi pikërisht Martit, për shkak të aftësive të tij hulumtuese.

RADIO EVROPA E LIRË
A planifikoni ta ndiqni këtë histori duke përfshirë në një artikull të dytë reagimin e zotit Thaçi apo të Tiranës zyrtare? Ndonjë plan konkret?
POL LEUIS
Ajo çfarë është e qartë, është se artikulli u publikua në “Guardian”, bazuar mbi raportin që do të lëshohet të enjten. Vetë raporti do të shoqërohet me shumë debate. Do të ketë debat në Kosovë, në Shqipëri dhe në pjesë të tjera të Ballkanit.

Ajo që kam kuptuar është se Këshilli i Evropës do ta nxisë zhvillimin e këtij debati. Ma merr mendja se do të ketë reagime të forta nga të gjitha palët në ditët dhe javët në vazhdim.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni pasur përvoja të mëhershme në Ballkan?
POL LEUIS
Kam mbuluar ngjarje në gjithë botën, Amerikën e Jugut, Azi, SHBA dhe kam punuar edhe në këtë rajon. Qëllimi i artikullit është që të bëjë të ditur për publikun raportin e zotit Marti, në të cilin ka akuza serioze. Dhe, jam i sigurt që do të çojë drejt një debati të fortë.

RADIO EVROPA E LIRË
A e shihni këtë raport si fillimin apo fundin e gjithë kësaj historie?

POL LEUIS
Kjo histori ka kohë që ka filluar. Pjesë të saj janë bërë të ditura fillimisht në kujtimet e ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës.

Disa nga akuzat nuk dëgjohen për herë të parë, ndaj nuk do ta cilësoja si fillim. Zoti Marti, përmes këtij raporti, ka dashur të qartësojë në një mënyrë disa çështje, që ishin të zhytura në një lloj misteri.

Pres që do të dalin më shumë informacione në muajt që do të vijnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju pyeta më herët për përvojën tuaj në Ballkan, pasi vetëm disa orë pas publikimit të shkrimit tuaj, po dëgjohen zëra se koha e raportit nuk është rastësore. Kosova është në fazë paszgjedhore dhe priten shumë shpejt bisedimet me Serbinë. Çfarë mendoni për kohën e raportit?

POL LEUIS
Nëse Prishtina ka shqetësime rreth kohës së publikimit të raportit të zotit Marti, atëherë duhet t’ia paraqesë atij. Nuk më takon mua si gazetar të flas apo t’i adresoj këto shqetësime.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG