Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës hedh poshtë akuzat e Martit

  • RFE /RL

Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, i cili ka akuzuar liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se në vitin 1999 kanë organizuar rrëmbimin e njerëzve, të cilëve në Shqipëri u janë marrë organet për trafikim.

“Sot, në të përditshmen 'The Guardian' u publikua një artikull, i cili thirret në një raport të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dik Marti, i cili është në vazhdën e raporteve, të cilat janë publikuar në 12 vjetët e fundit dhe që kanë pasur për qëllim njollosjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të udhëheqësve të saj“, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.

Në deklaratë thuhet se "pretendimet e botuara në “The Guardian“ janë hetuar disa herë nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare dhe në të gjitha rastet është konstatuar që deklarimet e tilla kanë qenë të pabazuara në fakte dhe të konstruktuara me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kosovës dhe të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës“.

Tutje, në deklaratë thuhet se "është e papranueshme që shpifjet e një anëtari të Asamblesë Parlamentare të Këshilit të Evropës të paraqiten si opinione të vetë institucionit, i cili nuk ka të bëjë me raportin e cituar“.

"Është e qartë se dikush dëshiron të pengojë kryeministrin Hashim Thaçi pas zgjedhjeve parlamentare, në të cilat qytetarët e Kosovës, në mënyrë të qartë dhe masive, i dhanë besimin për të vazhduar programin zhvillimor dhe qeverisjen e vendit tonë“, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

"Veprimet e tilla të ulëta dhe bizare, nga njerëz pa asnjë kredibilitet moral, mund të jenë vetëm në shërbim të qarqeve të caktura, që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj“.

"Opinioni i gjerë vendor dhe ndërkombëtar tashmë e di fare mirë se Dik Marti që nga fillimi, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe argument, ka qenë paragjykues dhe i vendosur që të raportojë në favor të qëndrimeve që ka shprehur bashkëpunëtorja dhe mikja e tij, Karla Del Ponte, dhe Qeveria e politikanët e Republikës së Serbisë“, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Qeveria në Prishtinë.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi, thuhet në deklaratë, "do t'i ndërmarrin të gjithë hapat dhe veprimet e nevojshme për t'i kundërshtuar shpifjet e Dik Martit, duke përfshirë edhe rrugët ligjore dhe politike“.

Në deklaratë thuhet se "Qeveria e Republikës së Kosovës u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që ta kundërshtojnë fuqishëm këtë raport shpifës dhe tendencioz dhe të mos rreshtohen në anën e atyre që me çdo kusht duan ta pengojnë stabilitetin, progresin dhe qeverisjen e mirë në Republikën e Kosovës“.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG