Ndërlidhjet

logo-print

Apelohet vendimi për lirimin e Asanzhesë


Prokurorët thanë se do të apelojnë vendimin e gjykatësit britanik për lirimin me kusht të themeluesit të WikiLeaks-it Xhulian Asanzh, i cili u arrestua në Britani nën akuzat suedeze për krime seksuale.

Avokatja e prokurorisë Gema Lindfield, që përfaqëson autoritetet suedeze shpalli vendimin në seancën dëgjimore pa dhënë arsyet.

Gjykatësi Hauard Ridël, i cili vendosi nën disa kushte të rrepta lirimin me kusht për Asanzhenë, tha se Asanzhe duhet të mbetet në paraburgim derisa të dëgjohet apeli brenda 48 orëve.

Avokati i Asanzhesë Mark Stivens kritikoi lëvizjen e prokurorisë.

“Kjo po kthehet në një shou gjyqësor dhe ne do të kthehemi në gjykatë sërish në 48 orët e ardhshme”, ka thënë Stivens.

Australiani 39 vjeçar, faqja e internetit e të cilit provokoi furinë amerikane pas publikimit të mbi 250 mijë dokumenteve sekrete diplomatike amerikane, është akuzuar nga dy femra suedeze për sjellje të pahijshme seksuale.

Asanzhe i mohon akuzat dhe po lufton kundër ekstradimit të tij në Suedi.
XS
SM
MD
LG