Ndërlidhjet

AI: Të hetohen pretendimet për tregti organesh



Amnesty International i ka bërë thirrje misionit të EULEX-it që të hapë hetime lidhur me pretendimet për përzierjen e kryeministrit Hashim Thaçi në rrëmbimin e shqiptarëve dhe serbëve pas luftës në Kosovë.

Thirrja nga organizata për të drejtat e njeriut i pasoi pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, sipas të cilit, Thaçi një kohë ka qenë ‘bosi’ i bandës kriminale, e cila ka shitur organe të trupit, ka kryer vrasje dhe është marrë me drogë gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë.

Amnesty International i mbështet thirrjet e Martit që BE t'i japë EULEX-it të gjitha resurset e nevojshme për të kryer hetime të plota dhe të paanshme mbi këto pretendime, përfshirë programin për mbrojtjen e dëshmitarëve.

"Familjet e serbëve, shqiptarëve dhe romëve të rrëmbyer pas luftës, kanë pritur tepër gjatë për drejtësinë. Ato meritojnë t'a dinë fatin e të afërmve të vet", thuhet në njoftim.
XS
SM
MD
LG