Ndërlidhjet

Shkup: U mbajt takimi i Kartës së Adriatikut


Takimi i shefave të diplomacisë së vendeve nënshkruese të Kartës së Adriatikut. Shkup, 15 dhjetor 2010.

Takimi i shefave të diplomacisë së vendeve nënshkruese të Kartës së Adriatikut. Shkup, 15 dhjetor 2010.

Pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e shefave të diplomacisë së vendeve nënshkruese të Kartës së Adriatikut, zëvendësministrja e jashtme në dorëheqje e Kosovës, Vlora Çitaku, e ka cilësuar si mundësi të mirë, që Kosova të integrohet në mekanizmat rajonalë, si çelës për integrimet e mëtejme të shtetit në strukturat euro-atlantike.

“Kosova, nga një vend konsumues i sigurisë, shndërrohet në një shtet që gjeneron siguri. Ne tanimë kemi ndërtuar forcat tona të sigurisë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të trupave të NATO-s, dhe me këtë rast kemi shprehur gatishmërinë tonë që të jemi pjesëmarrës në misionet e ndryshme paqeruajtëse nëpër botë”
, ka thënë Çitaku.

Sipas Çtakut, se fakti që NATO-ja redukton trupat në Kosovë, flet se Kosova është shtet stabil dhe i sigurt, mirëpo siç ka apostrofuar ajo, tërheqja e trupave duhet të përcillet paralelisht dhe me procesin e integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlanitike.

“Të gjitha vendet e Kartës së Adriatikut shprehën gatishmërinë e tyre për ta mbështetur Kosovën në këtë rrugëtim. Ne shprehëm keqardhjen tonë që përfaqësuesi i Serbisë refuzoi pjesëmarrjen në këtë takim, por njëherësh shprehim besimin se në takimet e ardhshme Kosova edhe Serbia do të marrin pjesë në këtë takim, si përfaqësues të barabartë”
, ka theksuar Çitaku.

Keqardhje për mospraninë e Serbisë, e cila ishte ftuar në cilësi të vëzhguesit, sikurse edhe Kosova, ka shprehur dhe ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshovski, duke theksuar se takimi i së mërkurës ka për qëllim dhe promovimin e vlerave të reja të bashkëpunimit rajonal.

“U përqendruam në zhvillimet pas samitit të NATO-s në Lisbonë, bashkëpunimin rajonal në rrugëtimin drejt Aleancës veri-atlantike, si dhe pjesëmarrjen tonë të përbashkët në misionin e NATO-s në Afganistan”,
ka bërë të ditur Milloshovski.

Ndërkohë, fryma e sinqertë e bashkëpunimit, si dhe përkrahja e ndërsjellë e vendeve të rajonit në procesin e integrimit, për shefin e diplomacisë së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, bën që Ballkani të zhvillojë si dhe të promovojë vlerat e mirëfillta evropiane.

“Progresi, siguria dhe stabiliteti vijnë nga aktiviteti i vendeve tona nga pjesëmarrjet dhe në aktivitetet, siç është ky sot, gjë që na kualifikon dhe bën të ndihemi vërtet qytetarë evropianë. Gjithashtu, edhe të kontribuojmë për të përballuar sfidat që ka Aleanca e NATO-s në vende të ndryshme të botës”,
është shprehur Haxhinasto

Nga ana tjetër, ministri malazez i Punëve të Jashtme, Millan Roqen, vlerëson se Karta e Adriatikut paraqet boshtin shtytës të integrimit të Kroacisë dhe Shqipërisë në NATO, andaj, sipas tij, ky bashkëpunim duhet marrë si model për rrugëtimin e vendeve tjera të rajonit drejt anëtarësimit në NATO.
XS
SM
MD
LG