Ndërlidhjet

logo-print

BE diskuton borxhet, punëtorët në protesta

  • RFE /RL

Angela Merkel

Angela Merkel

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian sot nisin samitin dyditor në Bruksel, për të diskutuar krijimin e fondit të përhershëm për shpëtimin e vendeve të Eurozonës nga kriza financiare.

Fondi prej disa miliarda eurosh pritet të zëvendësojë mekanizmin financiar, i cili u formua gjatë krizës greke dhe skadon në vitin 2013.

Samiti mbahet në kohën e protestave të vazhdueshme kundër masave të kursimit në mbarë Evropën.

Liderët e Bashkimit Evropian pritet të bien dakord për disa ndryshime, që do të mundësonin krijimin e një fondi të përhershëm të shpëtimit për vendet që përdorin euron.

Fondi parashihet që t’i qetësojë tregjet financiare, të cilat janë të shqetësuara për stabilitetin afatgjatë të euros, sidomos pas ndërhyrjes së Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në krizat në Irlandë dhe Greqi.

Vendet anëtare dhanë pëlqimin për krijimin e fondit në tetorin e kaluar, ndërsa ky takim pritet ta finalizojë formulimin përfundimtar, i cili do të përfshihet në Traktatin e Lisbonës që të bëhet ligj.

Struktura e re pritet të ketë nivelin e fondeve sa zyra e përkohshme, respektivisht 750 miliardë euro. Disa liderë duan që paneli i ri të ketë më shumë fonde, por Gjermania, e cila e paguan pjesën më të madhe të projekteve të BE-së, e kundërshton idenë.

Megjithatë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, u zotua të mërkurën në parlament, se asnjë vend anëtar i Bashkimit Evropian nuk do të braktiset në rast të katastrofës financiare.

“Askush në Evropë nuk do të mbetet i vetmuar, askush në Evropë nuk do të braktiset. Evropa shënon sukses kur vepron e bashkuar dhe, do të shtoja, vetëm kur vepron e bashkuar”, tha Merkel.

Samiti gjithashtu mund të pranojë kërkesën e Bankës Qendrore Evropiane që vendet e Eurozonës t’i rrisin rezervat e kapitalit.

Kjo do të ishte hera e parë që banka bën një kërkesë të tillë.

Karsten Bresk, analist financiar në bankën ING, i tha Radios Evropa e Lirë se shpreson që ky samit të shënojë fillimin e qasjes më largpamëse të Bashkimit Evropian për problemet e veta.

Deri tani, ne gjithmonë kemi pasur zgjidhje ‘ad hoc’ nga një takim në tjetrin. Tash do të duhej që liderët e BE-së të mendojnë dy hapa më përpara, e jo vetëm për hapin e radhës. Nëse arrijnë ta bëjnë këtë, atëherë mendoj se mund ta rikthejnë besimin te politika”, tha Bresk.

Si shenjë ilustrimi se telashet me borxhet nuk mund të mbeten vetëm brenda kufijve kombëtarë, agjencia “Standard & Poor” këtë javë shprehu shqetësime për rejtingun e kreditit të Belgjikës.

Borxhi i saj vlerësohet të jetë pothuaj sa prodhimi shoqëror, që është më i larti në eurozonë pas Greqisë dhe Italisë.

Ndërsa liderët e BE-së takohen në Bruksel, ata duhet të jenë të vetëdijshëm për pakënaqësitë dhe protestat e nxitura nga programet e kursimit, që synojnë uljen e borxheve.

Ditë më parë, studentët protestuan në Londër, ku sulmuan princin Çarls, të zemëruar nga rritja e shpenzimeve të studimit në universitet.

Roma ishte arenë e trazirave më të rënda në 30 vjetët e fundit, kur protestuesit u vërsulën në rrugët e kryeqytetit italian. Më shumë se 100 vetë u plagosën nga përleshja e tyre me policinë.

Të mërkurën, punonjësit në Greqi u hodhën në grevë të përgjithshme. Qindra mijëra njerëz e lanë punën duke paralizuar trafikun hekurudhor, ajror dhe detar. (v.p.)

* * *

Protesta ku u sulmua princi Çarls:

XS
SM
MD
LG