Ndërlidhjet

Korrupsioni “avullon” mbi 6 milionë euro


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Lufta kundër korrupsionit në Kosovë është bërë temë diskutimi për autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendore. Pikërisht për këtë çështje, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë, është duke financuar një projekt për zbatimin e Planit të Veprimit kundër korrupsionit. Ndërkaq, përfaqësues të autoriteteve kompetente, kanë thënë se korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë në nivel të lartë.


Është diskutuar, të enjten në Prishtinë, Plani i Veprimit të rishikuar të Kosovës, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian për përkrahje të institucioneve të vendit në luftën kundër korrupsionit.

Zyrtarë të Drejtorisë për luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Policinë e Kosovës, kanë thënë se brenda këtij viti në Prokurori kanë dërguar 648 raste, ndërsa dëmet materiale arrijnë mbi 6 milionë euro.

Rrezarta Zekaj ka shpjeguar:

“Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, është duke mbështetur një projekt që ka të bëjë më zbatimin e Planit të Veprimit kundër korrupsionit”.


Mbi 6 milionë e 100 mijë euro llogaritet dëmi që iu është shkaktuar institucioneve dhe personave fizikë, nga korrupsioni vetëm gjatë këtij viti, ndërkaq lidhur me këtë janë arrestuar 153 persona, kanë thënë përfaqësues të autoriteteve të rendit.

Shaip Havolli, shef i Drejtorisë për krime ekonomike dhe korrupsion në Policinë e Kosovës, ka pohuar se ky institucion është i përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik.
Dëmi i supozuar se mund t’u jetë shkaktuar personave fizikë dhe institucioneve është 6 milionë e 114 mijë euro.


“Nën hetime, gjatë këtij viti kanë qenë 648 raste, kanë shkuar në Prokurori me kryes të njohur 493 raste, ndërsa 20 raste janë me kryes të panjohur. Ndërkaq, 253 raste janë me raport të veçantë, 153 persona janë të arrestuar. Është ngritur kallëzim penal ndaj 890 personave. Si dhe dëmi i supozuar se mund t’u jetë shkaktuar personave fizikë dhe institucioneve është 6 milionë e 114 mijë euro”
, ka deklaruar Havolli.

Pikërisht për luftimin e korrupsionit dhe për zbatimin e mekanizmave ligjorë, në fokus të veçantë, zbatimit të Planit të Veprimit kundër korrupsionit, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, të enjten ka mbajtur një konferencë me gazetarë.

Melvin Asin, nga kjo zyrë, ka thënë se progresi i arritur në këtë fushë nga autoritetet kosovare, është kusht për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Këto aktivitete theksojnë përkushtimin tonë, të Komisionit Evropian për t’i forcuar institucionet që ju përfaqësoni.

“Këto aktivitete theksojnë përkushtimin tonë, të Komisionit Evropian për t’i forcuar institucionet që ju përfaqësoni. Siç e dini, progresi i Kosovës në këtë fushë monitorohet shumë afër për të ndihmuar me integrimin në Bashkimin Evropian”,
ka thënë Asin.

Asin ka theksuar se nuk është e rëndësishme që autoritetet kompetente vetëm të hartojnë dokumente për luftimin e korrupsionit, por e rëndësishme, sipas tij, është zbatimi i tyre në praktikë.

Në Kosovë Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit është përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e Planit Nacional Kundër Korrupsionit, plan ky që është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2009.

Drejtori i kësaj agjencie, Hasan Preteni, ka theksuar se korrupsioni është i përfshirë në masë shqetësuese në Kosovë dhe për luftimin e kësaj dukurie, sipas tij, nevojitet gatishmëria e të gjitha institucioneve.

“Ishte Strategjia e Veprimit për vitin 2009-2011; Kuvendi i Kosovës aprovoi këtë strategji në tetor të vitit 2009, edhe pse me këtë Plan Veprimi, ishin paraparë aktivitete qysh nga janari i vitit 2009. Kështu qysh në start ishim të hendikepuar, sepse u aprovua një dokument me vonesë së paku njëvjeçare”
, ka theksuar Preteni.

Ndërkaq, Zyra e Prokurorisë së Shtetit është përgjegjëse për të mbikëqyrur dhe drejtuar hetimet më tej mbi korrupsionin dhe për të paraqitur “fakte dëshmuese” të sjelljes korruptive në Gjykata.

Drita Hajdari, nga zyra e Prokurorisë se Shtetit, ka sqaruar se për të pasur efekt në luftën e korrupsionit, kjo zyrë tashmë në të gjitha prokuroritë e qarqeve dhe komunale, ka emëruar prokurorë që ekskluzivisht merren më lëndët e korrupsionit.
...shumica e prokurorive janë ankuar për mungesë të prokurorëve.

“Ky proces nuk ka qenë aspak i lehtë, për arsye se shumica e prokurorive janë ankuar për mungesë të prokurorëve. Dhe, për këtë ka ekzistuar një dozë e rezistencës, ndoshta edhe e moskuptimit. Por, megjithatë është arritur caktimi i këtyre prokurorëve, të cilët ekskluzivisht do të merren me lëndët e korrupsionit”,
ka sqaruar Hajdari.

Lufta kundër korrupsionit në Kosovë vlerësohet të jetë një nga sfidat kryesore në drejtim të formimit të shtetit ligjor dhe integrimit në mekanizmat ndërkombëtarë, si Bashkimi Evropian, ku sundimi i ligjit është një nga parakushtet për anëtarësim për vendet që synojnë të integrohen në këtë mekanizëm.

Lexoni edhe këto:

Prelec: Korrupsioni - sfidë e muajve dhe vitit të ardhshëm
EULEX: Të luftohet korrupsioni në nivel lokal
SHBA, kritika Kosovës për korrupsionin
XS
SM
MD
LG