Ndërlidhjet

Partitë dhe OJQ-të: Proces i manipuluar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Partitë politike, si edhe organizatat joqeveritare, vazhdojnë ta kontestojnë procesin dhe rezultatin e zgjedhjeve, duke e cilësuar atë të manipuluar. Vetëvendosje, Fryma e Re, si dhe 14 OJQ, kanë prezantuar edhe të enjten shkelje gjatë procesit zgjedhor, përderisa LDD-ja u është bashkuar gjashtë partive tjera që e kontestojnë rezultatin, duke e cilësuar gjithë procesin të manipuluar.


Subjektet politike, si edhe organizatat joqeveritare që kanë monitoruar votimet e së dielës, kanë vazhduar ta cilësojnë të parregullt këtë proces zgjedhor.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila tashmë e ka shpallur të papranueshëm rezultatin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, ka thënë se përveç rajonit të Drenicës, manipulime e vjedhje votash kishte edhe në Deçan.

Dardan Mulliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje, ka akuzuar katër subjektet politike, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Dardanisë për vjedhje të votës në Irzniq të Deçanit.

Atje, kanë thënë se është shënuar edhe 96 për qind e daljes në disa vendvotime, duke përfshirë edhe personat që nuk jetojnë në Kosovë, por në diasporë, si dhe personat e vdekur.

“E veçantë e këtyre fakteve është se tregojnë që nuk janë vjedhës vetëm PDK-ja e AAK-ja, por vjedhës të votave janë edhe LDK-ja dhe LDD-ja. Në të gjitha këto vendvotime ku ka dalje mbi 90 për qind, shumëfishimi i votave për katër partitë, pra AAK, PDK, LDK dhe LDD, vërehet theksueshëm për dallim prej Vetëvendosjes, e cila më shumë vota ka në vendvotimin 053, aty ku nuk ka pasur vjedhje”,
ka thënë Mulliqaj.
Zgjedhjet e 12 dhjetorit


Përderisa ditë më parë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Naser Rugova, kishte deklaruar se LDD-ja e pranon rezultatin, pavarësisht se nuk ka arritur të sigurojë ulëse në Kuvend, të enjten kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, e ka cilësuar të papranueshëm këtë proces zgjedhor.

“Kryesia e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, për shkak të ambientit politik agresiv dhe jodemokratik të krijuar, para dhe gjatë procesit, si dhe procesit zgjedhor të deformuar që nga elementet teknike, ashtu edhe ato organizative në vendvotime, unanimisht ka vendosur të mos e pranojë rezultatin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të mbajtura më 12 dhjetor 2010”
, është thënë në qëndrimet e LDD-së.

Ndërkohë, Shpend Ahmeti, nga Fryma e Re, përmes një konference për media, ka thënë se procesi zgjedhor ishte i parregullt dhe i manipuluar që nga fillimi deri në mbarim. Ai ka theksuar se manipulimi me zgjedhje ka ndikuar që Fryma e Re të mos e kalojë pragun, andaj edhe nuk i njeh rezultatet.

“Pikërisht dita e zgjedhjeve të së dielës po e dëshmon atë që e kemi thënë prej fillimit - se ky ka qenë një krim i organizuar zgjedhor që është bërë në tërë Kosovën dhe nuk është më një incident i izoluar në një komunë a tjetrën që është bërë nga disa individë, por si duket ka qenë i planifikuar tepër mirë, e kur them tepër mirë, tash po fillojnë të ekspozohen një pjesë e madhe e këtyre keqpërdorimeve”
, është shprehur Ahmeti.

Rezultatet e zgjedhjeve tashmë janë kontestuar edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila po kërkon një proces të ri zgjedhor. Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka cilësuar ato si një farsë dhe proces të manipuluar nga partia në pushtet.

Të pakënaqura me procesin e përfunduar zgjedhor janë shprehur edhe katërmbëdhjetë organizata joqeveritare. Përmes një deklarate, ato kanë shprehur shqetësimin për procesin zgjedhor.

“Në shumë pjesë të Kosovës, procesi i votimit u shoqërua me parregullsi serioze që për qëllim kishin manipulimin e vullnetit të qytetarëve të vendit”
, thekson deklarata.

Këto OJQ kërkojnë edhe angazhimin e të gjithë mekanizmave shtetërorë, përfshirë Policinë dhe Prokurorinë, për të zbuluar dhe ndëshkuar të gjitha manipulimet zgjedhore, si dhe përsëritjen e procesit të votimit në të gjitha pjesët e Kosovës, ku zbulohet edhe shkelja më e vogël e vullnetit të qytetarëve.

Lexoni edhe këto:

Dilema për mbarëvajtjen e votimeve
Ankesat e partive politike
XS
SM
MD
LG