Ndërlidhjet

Konkluzionet e pritshme


Konkluzionet e Këshillit të ministrave të BE-së, me ç`rast Maqedonisë i apostrofohet t’i respektojë marrëdhëniet ndër-fqinjësore dhe të zgjidhë kontestin e emrit me Greqinë, për Shkupin zyrtar janë të pritshme.

Petar Pop Arsov, kryetar i Komisionit për çështje evropiane në kuadër të Qeverisë, duke komentuar vendimin e vendet e BE-së, që çështja e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në këtë organizatë, të hapet gjatë kryesimit hungarez me BE-në, vlerësoi se çështja e kontestit të emrit tashmë nuk paraqitet si problem vetëm i Maqedonisë, por edhe i BE-së.

“Bëhet fjalë për një formë, të cilën e përdor BE-ja, që vendet anëtare të mos konfrontohen rreth çështjeve, për të cilat nuk kanë qëndrim të njëjtë. Pavarësisht faktit që Maqedonia e ka plotësuar me sukses pjesën më të madhe të rekomandimeve, Greqia si vend anëtar i BE-së krijon pengesë për sjelljen e një vendimi që do të përcaktonte datën për fillimin e negociatave”
, theksoi Arsov.

Por, për partinë maqedonase në opozitë, LSDM, konkluzionet e Këshillit të Ministrave paraqesin dështimin e radhës për Maqedoninë.

“Përderisa para pesë vjetësh Maqedonia ishte lider në mesin e shteteve të rajonit, ajo aktualisht duke ndjekur politikën e gabuar qeveritare, është balsamosur në fund të shteteve të Ballkanit, sa i përket procesit të integrimit”,
u shpreh deputeti i LSDM-së, Vllado Buçkovski, duke shtuar se shihet qartë se angazhimet për integrime euroatlantike të Qeverisë Gruevski janë vetëm deklarative.

Përderisa partia politike shqiptare në pushtet e Ali Ahmetit, BDI, gjashtë muajt e ardhshëm i sheh si shans për t`u bërë hapa konkretë që do të çonin kah zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë, me ç’gjë do t`i hapej rrugë procesit të integrimit, analistët politikë u shprehën skeptikë se kjo përbërje qeveritare ka kapacitet që të zgjidhë çështjen e emrit.

Ylber Sela, ligjërues i Shkencave Politike në UEJL, vlerësoi se mbajtja pezull e çështje së integrimit nxit pesimizëm te qytetarët për euro-integrime.

Sela theksoi se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë në asnjë mënyrë faktor vendimtar, sa i përket politikës së jashtme të Maqedonisë.

"Shqiptarët e Maqedonisë e kanë humbur shansin për të pasur rol shtytës të proceseve, sepse ata nuk janë prezent në politikën e jashtme të Maqedonisë, do të thotë janë lënë anash".

"Me vetë faktin se nuk kemi asnjë përfaqësues shqiptar që merr pjesë drejtpërdrejt në bisedime, qofshin të hapura ose sekrete, sa i përket zgjidhjes së çështjeve që lidhen me procesin e euro-integrimeve, dhe mu për këtë, te faktori politik shqiptar nevojitet një frymë e re politike e re. Thjesht, nevojitet të vijë një brez i ri, i cili do të ketë kapacitet për të bartur proceset”
, ka vlerësuar Ylber Sela, ekspert për çështje të integrimeve.
XS
SM
MD
LG