Ndërlidhjet

Jagland: Hetimi të konfirmojë ose hedh poshtë akuzat



Komiteti për Çështje Ligjore i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka bërë thirrje për nje seri hetimesh në nivel kombëtar e ndërkombëtar lidhur me provat për zhdukje, trafikim, korrupsion dhe për lidhje mes grupeve të krimit të organizuar dhe rretheve politike, të paraqitura në raportin e Dik Martit. Këshilli i Evropës njofton se në një rezolutë të miratuar njëzëri nga Komiteti thuhet se "ka indikacione të numërta dhe që përputhen", të cilat konfirmojnë se shqiptarë dhe serbë të Kosovës janë mbajtur në mënyrë të fshehtë si të burgosur nën kontrollin e UÇK-së në veri të Shqipërisë. Këta kanë qenë objekt i trajtimit jo njerëzor dhe fyes, përpara zhdukjes. Komiteti ka kërkuar nga EULEX-i të hetojë këto krime dhe kërkon nga vendet e BE-së që t'i japin misionit burimet dhe mbështetjen e nevojshme politike.

Autori i raportit, zvicerani Dik Marti, gjatë një konference të mbajtur në Paris tha se ka bazë të mjaftueshme për një hetim të pavarur.

“Mendoj se kam ofruar materiale të mjaftueshme për të justifikuar ndërmarrjen më në fund të një hetimi të pavarur, të thellë e serioz. Mbi të gjitha duhet të krijojmë kushtet që t’i lejojmë dëshmitarët të flasin hapur. Ky është problemi. Në kushtet aktuale dëshmitarët nuk do të flasin pasi jetët e tyre nuk janë të mbrojtura”, tha Marti.

Ai shtoi se organet kompetente duhet të bëjnë detyrën.

“Tani varet nga autoritetet që janë në pushtet të vazhdojnë punën drejt së vërtetës. Ne besojmë se drejtësia nuk mund të jetë një kahëshe. Nuk besojmë se ka një drejtësi për fituesit dhe një tjetër për të mundurit. Ka një drejtësi për të gjithë”, tha Marti para mediave në Paris.

Kreu i Këshillit të Evropës, Tjobjorn Jagland ka kërkuar që akuzat e bëra në raport të mos mbeten pa përgjigje. “Ato duhet ose të konfirmohen apo hidhen poshtë përmes një hetimi kriminal”, tha Jagland. Ai ka kërkuar në veçanti nga autoritetet ndërkombëtare të bëjnë çfarë munden për të vendosur të vërtetën rreth asaj që ka ndodhur.

Në debatin e sotëm morri pjesë dhe një delegacion i Kuvendit të Kosovës në përbërje të të cilit ishin Xhavit Haliti nga PDK-ja dhe Ibrahim Gashi nga AKR-ja.

Në fjalën e tij Haliti ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e raportit, duke theksuar se raqportin e marrin shumë seriozisht. “Ne në PDK i bashkohemi Dik martit në thirrjen për një hetim kompetent ndërkombëtar mbi pretendimet dhe akuzat e bëra në raportin e Këshillit të Evropës”, ka theksuar Haliti në Komitetin e Çështjeve Ligjore.

Asambleja Parlamentare do ta diskutojë raportin në 25 janar.
XS
SM
MD
LG