Ndërlidhjet

Thaçi: Shpifje dhe gënjeshtra


Kryeminstri në dorëheqje, Hashim Thaçi
Kryeminstri në dorëheqje, Hashim Thaçi
Kryeministri në dorëheqje i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i është përgjigjur raportit të raportuesit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dik Marti, duke e cilësuar atë si raport skandaloz, i cili është i mbushur me shpifje dhe gënjeshtra, të ricikluara si propagandë e vazhdueshme mbi 15-vjeçare.

“Unë, si kryeministër i Republikës së Kosovës, por para së gjithash si qytetar dhe si prind, ndihem i fyer rëndë ndaj akuzave të pabaza të Dik Martit që ka bërë ndaj meje, ndaj bashkëluftëtarëve të mi, ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbi të gjitha, ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit tim”,
deklaroi Thaçi.

Zoti Thaçi këto komente i bëri në një konferencë shtypi, në të cilën ai tha se do t’i shfrytëzojë mundësitë që ka për ta kundërshtuar këtë raport.

“Unë do t’i shqyrtoj të gjitha mundësitë legale dhe politike për ta kundërshtuar këtë raport tendencioz dhe për të nxjerrë në pah të vërtetën dhe drejtësinë”, tha Thaçi.

Qytetarët e Kosovës janë pjesë e Evropës dhe botës së qytetëruar, tha zoti Thaçi.

“Dhe, nuk janë pjesë e mentaliteteve primitive, fisnore dhe klanore, siç i ka përshkruar Dik Marti”,
theksoi Thaçi.

Ai shprehu edhe gatishmërinë për të pranuar një komision ndërkombëtar hetimor, nëse një gjë e këtillë i kërkohet, duke thënë se çdo gjë që është transparente, do ta pranojë dhe do ta ftojë.

I pyetur mbi ndikimin që mund të ketë ky raport në bisedimet paralajmëruara midis Prishtinës dhe Beogradit, zoti Thaçi tha se do të vazhdojë të përkushtohet në zbatimin e agjendës për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha shtetet e rajonit.

“Në të njëjtën kohë e përshëndes edhe deklaratën e presidentit Tadiq që të vazhdojmë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore në mes dy vendeve tona, për të mirën Euro-atlantike të të dy vendeve dhe popujve tanë”
, u shpreh Thaçi.

Ai rikujtoi se pretendimet e përfshira në raportin e Dik Martit janë hetuar tashmë disa herë nga institucionet kredibile të drejtësisë ndërkombëtare, duke përfshirë Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, Misionin e Kombeve të Bashkuara dhe, së fundmi, EULEX-in.

“Në të gjitha rastet është dëshmuar se nuk ka asnjë bazë për akuzat e përfolura”,
deklaroi Thaçi.

Në emrin e tij personal dhe të Qeverisë së Kosovës, kryeministri në largim kërkoi të inicohen të gjitha procedurat për deklarimet që përmban raporti, në funksion të zbardhjes të së vërtetës.

“Po ashtu kërkojmë nga Dik Marti që të gjitha faktet dhe dëshmitë që pretendon që i ka , t’i dorëzojë tek organet kompetente të drejtësisë për të ndihmuar procesin hetimor”,
përfundoi Thaçi.

Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, gjithashtu, tha se dihet kush ka qenë agresor dhe kush ka ushtruar gjenocid, siç dihet edhe kush ka zhvilluar luftë të drejtë çlirimtare.

Në fund ai kërkoi nga të gjithë qytetarët e Kosovës maturi dhe qetësi, duke theksuar se Kosova ka kaluar nëpër sfida edhe më të rënda se kjo.
XS
SM
MD
LG