Ndërlidhjet

logo-print

Topi dënon ashpër raportin e Martit

  • RFE /RL

Projekt-rezoluta e Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e përpiluar nga deputeti Dik Marti.

Projekt-rezoluta e Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e përpiluar nga deputeti Dik Marti.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka reaguar sot ndaj projekt-rezolutës së djeshme të Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të përpiluar nga deputeti Dik Marti.

Në një komunikatë për media, Topi i ka “dënuar ashpër të gjitha akuzat e pabazuara në prova konkrete".

Ai i ka quajtur ato "pandehma të endura me një rrjetë thashethemesh, të cilat duken sikur janë të gatuara në kuzhinën e dalëmode të qarqeve të caktuara ultra-nacionaliste, që, për fat të keq, vazhdojnë të ekzistojnë në Ballkan - në një territor ku, kohë pas kohe, zbulohen varreza masive të gjenocidit të pashembullt të forcave serbe të Millosheviqit dhe ku ende strehohen kriminelë lufte, të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”.

“Këto akuza fantazmagorike, shumë herë të ngritura edhe më parë e të hetuara, por asnjëherë të vërtetuara, nuk bëjnë gjë tjetër veçse hedhin baltë mbi Shqipërinë, kombin shqiptar si dhe shtetin e ri shumetnik e demokratik të Kosovës dhe drejtuesit e tij legjitimë, të certifikuar jo vetëm nga qytetarët kosovarë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Topi, për të shtuar se “akuzat dhe tymnaja e rrezikshme që ato po ngrenë, dëmtojnë e kërcënojnë seriozisht jo vetëm imazhin dhe vlerat e vërteta të kombit shqiptar, por edhe paqen e qëndrueshmërinë afatgjate të rajonit tonë”.

Në deklaratën e presidentit Topi thuhet se institucionet e Shqipërisë kanë qenë gjithmonë bashkëpunuese me institucionet e specializuara ndërkombëtare, për të hetuar rreth dyshimeve që ringrihen në projekt-rezolutën e përpiluar nga Dik Marti, “i cili e ka bërë të njohur botërisht, prej kohësh, pozicionimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës”.

“Rruga më e mirë për të mbyllur përfundimisht një kapitull të mbushur me akuza të pabazuara, shpifje dhe dashakeqësi, është që të bashkëpunojmë sërish me organet e specializuara të drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, UNMIKU-u, EULEX-i si dhe prokuroritë e vendeve të ndryshme, sado që kanë hetuar me imtësi në të kaluarën, nuk kanë arritur të gjejnë prova bindëse e të mjaftueshme për të vënë ndokënd para drejtësisë”, ka thënë Topi.

“Duhet patjetër që e vërteta e kulluar të dalë e tëra në dritë, ashtu siç ka ndodhur në Kosovën e martirizuar, ku shqiptarët Kosovës kanë ditur të falin, por jo të harrojnë. Kjo në mënyrë që mbi askënd të mos rishfaqen më hijet e dyshimit, si makthe që na rikujtojnë periudhën e trazuar të konflikteve dhe gjenocideve etnike dhe fetare – të cilat rajoni ynë, i projektuar i gjithi drejt botës euro-atlantike, i ka lënë pas një herë e mirë”, thuhet në deklaratën e presidentit Topi.
XS
SM
MD
LG