Ndërlidhjet

logo-print

SHBA-të nisin tërheqjen nga Afganistani më 2011

  • RFE /RL

Trupat amerikane në provincën Kandahar të Afganistanit.

Trupat amerikane në provincën Kandahar të Afganistanit.


Lufta në Afganistan mbetet një detyrë shumë e vështirë, por Shtetet e Bashkuara janë në rrugë të mbarë për t'i përmbushur qëllimet, tha presidenti Obama. Ai shtoi se Uashingtoni do të fillojë tërheqjen e trupave nga Afganistani në korrik të vitit 2011.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë bërë "përparim të dukshëm" në prishjen e rrjetit terrorist të Al Kaidës, por do të duhet kohë deri në mundjen e tij, tha presidenti amerikan.

Duke paraqitur analizën periodike mbi strategjinë në Afganistan, presidenti Obama tha se qëllimi amerikan nuk është që të mundet çdo kërcënim i mundshëm i sigurisë në Afganistan, por të shkatërrohet më shumë Al Kaida në Afganistan e Pakistan.

“Ne po shohim përparim të dukshëm në arritjen e qëllimit tonë kryesor. Sot, udhëheqësit e lartë të Al Kaidës në rajonin kufitar të Afganistanit dhe Pakistanit janë në pikën më të madhe të presionit, që kur ikën nga Afganistani 9 vjet më parë”.

“Liderët e lartë janë vrarë. E kanë të vështirë të rekrutojnë; e kanë të vështirë të udhëtojnë; e kanë të vështirë të trajnohen; e kanë të vështirë të bëjnë komplote dhe të sulmojnë“
, tha Obama.

Raporti thotë se “komponentë specifikë” të strategjisë amerikane për Afganistanin dhe Pakistanin po zhvillohen mirë dhe se ka fitore të konsiderueshme. Ai po ashtu thekson se udhëheqësit e lartë të Al Kaidës në Pakistan janë dobësuar.

Lufta është në vitin e saj të 10-të dhe rishikimi i saj qe premtuar një vit më parë, kur Obama njoftoi se do t’i dërgonte 30 mijë trupa shtesë, me qëllim të stabilizimit të sigurisë në atë masë sa t’i kalojnë përgjegjësitë te afganët dhe t’u lejojnë trupave të kthehen në shtëpi në verën e ardhshme.

Në Afganistan aktualisht janë rreth 100 mijë ushtarë amerikanë dhe 40 mijë trupa të NATO-s.

Vlerësimi thotë se bazuar në përparimin e bërë, ky qëllimi i Obamës për fillimin e tërheqjes së kontingjentit amerikan është ende në agjendë, por sugjeron se vendimi për tërheqje do të jetë i kushtëzuar nga situata në terren.

Sekretari i mbrojtjes, Robert Gejts, tha se mbesin të paevitueshme disa pasiguri.

“Sa i përket tërheqjes së trupave, presidenti e ka bërë të qartë - do të jenë të kushtëzuara. Në lidhje me atë se si duken këto vija pas korrikut të vitit 2011, mendoj se përgjigjja është: nuk e dimë në këtë kohë. Por, shpresojmë se, derisa bëjmë përparim, këto tërheqje do të shpejtohen”, tha Gejts.

Në samitin e NATO-s në Lisbonë, liderët u pajtuan që deri më 2014-ën të përfundojë transferimi i përgjegjësive tek afganët. Kjo nënkupton se forcat amerikane do të jenë në atë shtet të paktën edhe për 4 vjet të tjerë.

Presidenti Barak Obama
Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i mbështesin përpjekjet e Kabulit për bisedime paqësore me talibanët si dhe për ripajtim.

“Ne do ta mbështesim një proces afgan politik që përfshin ripajtimin me ata talibanë që ndahen nga Al Kaida, që heqin dorë nga dhuna dhe pranojnë Kushtetutën afgane”, tha Obama.

Raporti përshëndet bashkëpunimin me Pakistanin, duke thënë se Uashingtoni dhe Islamabadi “kanë punuar së bashku në vitin e kaluar kundër kërcënimit që paraqet Al Kaida”.

Por, raporti po ashtu thekson se SHBA-të, për të arritur qëllimin final, përpara kanë sfidën, e cila është arritja e fitoreve të qëndrueshme dhe afatgjate.

Raporti thekson se nevojitet bashkëpunim më i madh me Pakistanin.

“Ne mirëpresim ofensivat e mëdha të Pakistanit në rajonet fisnore. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë forcimin e kapaciteteve të Pakistanit që t’i çrrënjosë terroristët. Por, përparimi nuk ka qenë mjaft i shpejtë, kështu që ne do të vazhdojmë të insistojmë te liderët e Pakistanit, që të merren me strehët e sigurta të terroristëve brenda kufirit të tyre”, tha Obama.

Raporti përfundon se ky vit ka qenë më i përgjakshmi në luftën e Afganistanit, me 700 trupa të NATO-s, prej tyre të paktën 475 amerikanë, të vrarë në betejat me talibanët. (a.i.)
XS
SM
MD
LG