Ndërlidhjet

Rivotimi i pjesshëm nxit reagime


Në një qendër votimi në Prishtinë, 12 dhjetor 2010.
Në një qendër votimi në Prishtinë, 12 dhjetor 2010.
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që më 9 janar në Kosovë të ketë rivotime të pjesshme, ka hasur në reagime të ndryshme. Përderisa LDK-ja e ka përshëndetur këtë vendim, AAK-ja dhe Vetëvendosja e kanë cilësuar të papranueshëm, duke kërkuar rivotim në gjithë Kosovën. Vendimi i KQZ-së, ndërkaq, nuk është komentuar nga PDK-ja.


Partitë politike e kanë vlerësuar në mënyra të ndryshme vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas rekomandimeve të Panelit për Ankesa, që vendvotime të caktuara në pesë komuna të Kosovës të shkojnë në rivotim.

Përderisa Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përshëndetur këtë vendim, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë konsideruar të papranueshëm.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur i kënaqur me vendimin e KQZ-së. Kohë më parë, ai kishte kërkuar rivotime në gjithë Kosovën, por sot Mustafa ka thënë se po pret përfundimin e shqyrtimit të ankesave edhe në Gjykatën Supreme, para se të merret një qëndrim ndaj gjithë procesit zgjedhor.

“Jemi të kënaqur me vendimin e KQZ-së për tri komuna, kurse kemi edhe vërejtje të tjera, të cilat tash do t’i adresojmë në Gjykatën Supreme, lidhur me vendet për të cilat ne kemi pasur vërejtje, e që nuk janë marrë parasysh”.

“Një prej vërejtjeve është Malisheva, ku ne kemi vërejtje konkrete lidhur me rastet atje. Janë vërejtjet lidhur me përgatitjet teknike, të cilat nuk janë bërë nga KQZ-ja”
, ka thënë Mustafa.

Deri më 9 janar, kur do të ketë rivotime të pjesshme në Kosovë, Mustafa ka thënë se ka kohë që të bëhet edhe një herë rinumërimi i votave, për të sqaruar edhe dilemat brenda subjekteve politike, në lidhje me votat që kandidatët kanë fituar në garën e tyre për deputetë në Parlamentin e Kosovës.

KQZ
E pakënaqur me gjithë procesin, edhe pas vendimeve më të reja të KQZ-së, është shprehur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i Shtabit Zgjedhor të AAK-së, Blerim Kuçi, ka theksuar se përqindja e parregullsive dhe manipulimeve është aq e lartë, saqë është dëmtuar i gjithë procesi. Sipas tij, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja në gjithë territorin.

“Si përfundim, duke u bazuar në Raportet e Auditimit dhe Hetimit dhe të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, të cilat tregojnë se mbi 25 për qind e procesit zgjedhor mund të jetë manipuluar, si dhe duke u bazuar në informatat tona edhe më të rënda për mosfunksionimin e procesit zgjedhor, AAK-ja kërkon rivotim në tërë territorin e Kosovës”, ka theksuar Kuçi.

Meritën për dështimin e zgjedhjeve, sipas AAK-së, e ka vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilin kjo parti e ka cilësuar si një instrument në duart e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Hashim Thaçit. Madje, Blerim Kuçi ka thënë me tallje se AAK-ja po shqyrton koalicionin me KQZ-në.

“Sa u përket koalicioneve, ne si AAK kemi konkluduar se mund të bëjmë koalicion me subjektin më të ri politik, KQZ-në, të udhëhequr nga zonja Valdete Daka”
, është shprehur Kuçi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është akuzuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, se po bëhet pjesë e subjekteve që kanë manipuluar me zgjedhjet. Andaj, kjo lëvizje e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e fundit të këtij organi.

Zyrtari i saj, Besnik Bislimi, ka thënë se “Vetëvendosja” ka fakte që vjedhjet nuk janë shënuar vetëm në pesë komuna, por në gjithë Kosovën.

“KQZ-ja ka qenë institucion në funksion të PDK-së, në vend që të ishte institucion i pavarur, që na garanton ndershmërinë, mbarëvajtjen dhe shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Kjo gjë e ka dëmtuar thellësisht demokracinë në Republikën e Kosovës”,
është shprehur Bislimi.

Sidoqoftë, vendimi i fundit i KQZ-së e çon Kosovën në rivotime të pjesshme, ku përfshihen komunat Drenas, Skenderaj, si dhe vendvotime në Deçan, Lipjan e Malishevë.

Lexoni edhe këto:

Ankesat e partive politike
(Pa)kënaqësi me zgjedhjet
XS
SM
MD
LG