Ndërlidhjet

Zvicra kërkon të hetohen pohimet për trafikim organesh



Zvicra i ka bërë thirrje Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë Bashkimit Evropian, që të ndërmarrin hetime mbi pretendimet për trafikim të organeve, njofton AFP.

“Ministria e Jashtme e Zvicrës u bën thirrje vendeve të apostrofuara dhe veçanërisht Kosovës për t’i qartësuar akuzat e këtilla. Autoritetet e duhura ndërkombëtare duhet t’u prijnë hapave ligjorë për t’i grumbulluar provat e mundshme”, thuhet në njoftim.

Ministria gjithashtu i bën thirrje EULEX-it, që t’i drejtojë hetimet.

Raportuesi i Këshillit të Evropës Dik Marti e implikoi kryeministrin në largim Hashim Thaçi në trafikimin e organeve.

Ministria tha se raporti i Martit përmban “akuza të rënda të bëra mbi bazë të dëshmive dhe provave të shumta”.

Ndërkohë, ministria tha se presidentja Doris Leuthard dhe ministreja e Jashtme, Mishel Kalmi-Rej, të cilët duhej të merrnin javën e ardhshme një çmim nga diaspora kosovare në Zvicër, kanë vendosur që për momentin të mos e marrin çmimin.

“Nisur nga publikimi i raportit të Martit, nuk është koha e duhur për ta pranuar çmimin”, njoftoi ministria.
XS
SM
MD
LG