Ndërlidhjet

Kërkohet rinumërimi i votave


Gjatë numërimit të votave në zgjedhjet e 12 dhjetorit...
Gjatë numërimit të votave në zgjedhjet e 12 dhjetorit...
Disa nga partitë politike në Kosovë i kanë drejtuar kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i përvishet rinumërimit të votave për kandidatët që kanë garuar për ulëse në Kuvend. Përderisa KQZ-ja nuk ka dhënë ndonjë përgjigje, subjektet politike thonë se rinumërimi është i domosdoshëm pasi që ka dyshime se shumë kandidatë për deputetë janë dëmtuar dhe se votat e tyre kanë përfunduar te kandidatët tjerë nga i njëjti subjekt politik.


Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 12 dhjetorit, kërkojnë rinumërimin e votave. Kësaj radhe, jo për të sqaruar përqindjen që ato kanë fituar gjatë zgjedhjeve, por për t’i sqaruar dilemat dhe dyshimet se kandidatëve të tyre për deputetë, nuk u është shënuar saktë numri i votave të fituara.


Gati se te të gjitha partitë politike shprehin dyshime se nëpër komisionet komunale ka pasur keqpërdorime, sipas të cilave, votat e njërit kandidat i janë shënuar kandidatit tjetër.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se deri në rivotime më 9 janar, ka kohë të mjaftueshme që votat të grumbullohen në Qendrën e Numërimit dhe aty të fillojë rinumërimi.

“Do të jetë një kërkesë e jona që të bëhet rinumërimi, meqenëse koha e zgjedhjeve është shtyrë për 9 janar. Gjatë kësaj periudhe ne mund ta bëjmë një verifikim, në mënyrë që numërimi të jetë shumë i qartë dhe të eliminohen vërejtjet që sot janë në opinion rreth zhvendosjes së brendshme të votave, ose zhvendosjes së votave nga një subjekt në tjetrin”,
thotë Mustafa.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për rinumërim votash. Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se rinumërimi do t’i sqaronte dilemat dhe paqartësitë nëse ka pasur keqpërdorime dhe nëse kandidatët e caktuar janë dëmtuar nga komisionerët e qendrave të votimit.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës para katër ditësh e ka bërë kërkesën në KQZ që të bëhet rinumërimi i votave për të gjitha partitë dhe për të gjithë kandidatët. Deri tash kemi marrë përgjigje negative nga KQZ-ja”.

Është tepër e nevojshme që të ketë rinumërim për të gjitha partitë dhe për të gjithë kandidatët...

“Por, është tepër e nevojshme që të ketë rinumërim për të gjitha partitë dhe për të gjithë kandidatët, në mënyrë që votat e fituara nga kandidatët dhe partitë të shihen si legjitime ndërmjet partive dhe përbrenda partive”,
shprehet Ramadani.

Nëse nuk do të hiqeshin dilemat se ka pasur keqpërdorime gjatë numërimit të votave, në opinion do të krijohet përshtypja se përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës paraqet vullnetin e komisionerëve dhe jo vullnetin e elektoratit, thotë Ibrahim Makolli, nënkryetar i Aleancës Kosova e Re.

Sipas Makollit, rinumërimi duhet të bëhet, madje me mbikëqyrje nga organizata të pavarura. Kurse, komisionerët që dëmtuan votën e lirë të qytetarëve, thotë Makolli, duhet të përballen me ligjin.

“Ka dëshmi të mjaftueshme, me të cilat dëshmohet se komisionerët në vendvotime, në formularin përfundimtar kanë vendosur shifra ose i kanë përkthyer në vota për kandidatët e tyre të preferuar, me ose pa ndikimin e dikujt tjetër dhe jo drejtpërdrejt vendosjen e vullnetit të qytetarit. Për ta eliminuar këtë, duhet të ketë një rinumërim të plotë në Qendrën e Numërimit”, thekson Makolli.

Ndërsa, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk prononcohen në lidhje me këtë problematikë, mediat vendore kanë raportuar se edhe ushtruesi i detyrës së presidentit, njëkohësisht sekretar i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, i kishte kërkuar KQZ-së të bëjë sqarimin e votave të kandidatëve brenda partive.

Krasniqi kishte kërkuar nga KQZ-ja që t’i përvishet punës së rinumërimit të votave vetëm për kandidatët që kanë garuar për ulëse në Kuvend.

Mirëpo, deri më tani, KQZ-ja, sipas këtyre njoftimeve, ka dhënë një përgjigje negative ndaj të gjitha kërkesave për fillimin e rinumërimit.
XS
SM
MD
LG