Ndërlidhjet

logo-print

Janjiq: Bisedimet mund të fillojnë në shkurt


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të nisin në pjesën e dytë të shkurtit të vitit të ardhshëm, pas krijimit të qeverisë së ardhshme të Kosovës, vlerësojnë përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe analistët në Beograd. Këta të fundit thonë se, në mungesë të një qëndrimi të qartë të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara ndaj këtyre bisedimeve, pala serbe dhe ajo kosovare do të gjejnë arsyetime për ta shtyrë këtë proces.


Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe njohësit e rrethanave politike në rajon, shprehin bindjen që në pjesën e dytë të muajit shkurt 2011 do të mund të formohet qeveria e ardhshme e Kosovës dhe se në atë kohë mund të nisë dialogu i paralajmëruar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Përsëritja e zgjedhjeve parlamentare më 9 janar të vitit të ardhshëm në Drenas, Skënderaj, Deçan, në një qendër votimi në Lipjan dhe një tjetër në Malishevë, sipas tyre, është pjesë e nevojshme e procesit për krijimin e një qeverie legjitime.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas përsëritjes së zgjedhjeve në disa komuna, partitë politike në Kosovë do të kenë shumë opsione për të formuar qeverinë e ardhshme të vendit.

“Fakt është që njëra parti ka shumicën dhe ata po përpiqen të formojnë qeverinë, por nuk mund të shkojnë vetëm, andaj ju duhen disa partnerë të koalicionit, të cilët duhet dhe mund t’i gjejnë. Nëse ata nuk mund t’i gjejnë, ekziston një parti tjetër që mund ta bëjë një koalicion të gjerë me disa parti. Andaj mendoj se ka shumë mundësi dhe le të zbatohen ato”,
shprehet Pack.

Muaji shkurt i vitit të ardhshëm dhe themelimi i qeverisë së ardhshme të Kosovës, vlerësohen si momente të rëndësishme për dialogun Prishtinë-Beograd edhe nga analisti serb Dushan Janjiq.

Janjiq thotë se takimi në këtë periudhë i udhëheqësve shtetërorë të Kosovës e Serbisë që, sipas tij, do të jenë presidenti serb, Boris Tadiq, dhe kryeministrit aktualisht në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi, do t’i hapë rrugë nisjes së dialogut për të ashtuquajturat çështje teknike ndërmjet dy palëve.
Kjo është ajo që pres; që në pjesën e dytë të shkurtit të nisë takimi ndërmjet Tadiqit dhe Thaçit - të them, Takimi i elefantëve.


“Kjo është ajo që pres; që në pjesën e dytë të shkurtit të nisë takimi ndërmjet Tadiqit dhe Thaçit - të them, Takimi i elefantëve. Pas kësaj, marsi dhe muajt e tjerë do të jenë nën shenjën e dialogut teknik”,
thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Në kuadër të faktorëve të tjerë, që, sipas Janjiqit, mund ta zgjasin procesin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, hyn raporti i fundit i raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi, të cilat pritet të mbahen kah fundi i vitit të ardhshëm.

Janjiq flet për mungesën e vullnetit politik në Kosovë e Serbi, për të zhvilluar bisedimet ndërmjet vete dhe thekson se as Brukseli zyrtar nuk ka një qëndrim të qartë dhe koordinim të nevojshëm me Shtetet e Bashkuara për këtë proces.

“Nuk jam i sigurt nëse Uashingtoni dhe Brukseli kanë mendim dhe agjendë të njëjtë për bisedimet mbi Kosovën. Sipas përvojës sime, me krizat dhe luftërat ballkanike del se nëse nuk ka një zë të përbashkët të Brukselit dhe Uashingtonit, aktorët lokalë do të përdorin arsyetime të ndryshme për të mos i zgjidhur problemet”,
thekson Janjiq.

Dyshime në lidhje me qëndrimin e Bashkimit Evropian karshi bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit shfaq edhe eurodeputetja, Doris Pack
Zonja Ashton dhe njerëzit përreth saj do të duhej të ishin më shumë të angazhuar në Ballkan, veçanërisht në këtë rajon të vështirë ...
.

“Zonja Ashton dhe njerëzit përreth saj do të duhej të ishin më shumë të angazhuar në Ballkan, veçanërisht në këtë rajon të vështirë - që nënkupton Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Ata duhet së paku të pranojnë se aktualisht ky është obligimi kryesor”,
nënvizon Pack.

Bashkimit Evropian iu vu përgjegjësia për lehtësimin e bisedimeve ndërmjet palës serbe e asaj kosovare përmes një rezolute të miratuar në shtator të këtij viti nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, që nga atëherë përveç spekulimeve, nuk është marrë ndonjë vendim zyrtar lidhur me kohën, formatin dhe agjendën e këtyre bisedimeve.

Lexoni edhe këto:

Bisedimet e padefinuara
Kosovë: Bisedimet me Serbinë - me qeveri legjitime
XS
SM
MD
LG