Ndërlidhjet

SHBA: Hiqet ndalesa për homoseksualët në ushtri


Në një votim historik për të drejtat e homoseksualëve, Senati amerikan është pajtuar që t’i japë fund ndalesës që homoseksualët të shërbejnë hapur në ushtri.

Të shtunën, Senati votoi me 65 vota për dhe 31 kundër për t’i dhënë fund politikës ”mos pyet, mos trego”.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi më herët projektligjin, ndërsa ligjvënësit nxituan ta kryejnë punën para Kongresit të ri që nis punën në janar.

Presidenti Barak Obama pritet ta nënshkruajë ligjin në këtë javë, edhe pse ndryshimet në politikën e ushtrisë me siguri se nuk do të ndodhin për të paktën disa muaj.

Nën ligjin e ri, presidenti dhe këshilltarët ushtarakë, duhet të vertëtojnë se heqja e ndalesës nuk po dëmton kapacitetin e trupave për të luftuar.

Pas kësaj, ushtria do të ketë edhe një periudhë tjetër 60 ditëshe të pritjes.

Më shumë se 13 mijë e 500 pjesëtarë janë larguar nga ushtria nën ligjin e vitit 1993, i cili i detyronte meshkujt dhe femrat në ushtri që të fshehin identitetin e tyre seksual.
XS
SM
MD
LG