Ndërlidhjet

Problemet nga mungesa e buxhetit


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Situata e krijuar pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit dhe vonesa e krijimit të institucioneve të reja do të ndikojë në zvarritjen e miratimit të buxhetit për vitin 2011. Lidhur me këtë, njohës të çështjeve ekonomike, theksojnë se mungesa e buxhetit do të ndikojë negativisht në aspektin socio-ekonomik.


Kosova hyn në vitin e ri, pa buxhet të miratuar për vitin 2011. Ndërkaq, zvarritja e formimit të institucioneve të reja, do ta vonojë edhe miratimin e buxhetit, duke sjellë në këtë mënyrë probleme të shumta në aspektin socio-ekonomik, vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Eksperti Nagip Skënderi, thotë se nëse eventualisht vonohet miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm, kjo do të sjellë pakënaqësi dhe deformim institucional në shfrytëzimin e buxhetit.

Autoritetet kompetente, shton Skënderi, në radhë të parë duhet të kenë parasysh mundësinë e realizimit të pagave të punëtorëve në administratën shtetërore.
Nuk duhet të sillemi me një komoditet të tepruar në këtë rast...

“Nuk duhet të sillemi me një komoditet të tepruar në këtë rast, por të shkohet sa më shpejt, pasi jeta institucionale duhet të funksionojë, në këtë rast të punësuarit, arsimtarët e kështu me radhë. Do të thotë të gjitha kategoritë që janë të varura nga buxheti, duhet të shkojnë drejt rrugës së realizimit”, thotë Skënderi.

Ndryshe, buxheti 2011 nuk është miratuar në afatin e paraparë, pasi që Kuvendi i Kosovës në muajin nëntor votoi pro mocionit të votëbesimit të Qeverisë.

Edhe Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, vlerëson se situata e krijuar pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit do të ndikojë negativisht në aspektin ekonomik, e konkretisht problem, sipas tij, do të paraqesë vonesa e miratimit të buxhetit.

Gërxhaliu thotë se humbja e kohës në formimin e qeverisë së ardhshme dhe miratimit të buxhetit, do të sjellë pasoja në planifikimin e investimeve kapitale.

“Në rend të parë nuk mund të planifikohen investime kapitale, apo investime në përmbushjen e projeksioneve publike. Në rend të dytë, nuk mund të ketë përfundim të projekteve që kanë filluar dhe kanë një periudhë më të gjatë, të cilat duhet të barten edhe në vitin 2011.”
Në rend të parë, nuk mund të planifikohen investime kapitale, apo investime në përmbushjen e projeksioneve publike.

“E tërë kjo duhet të ndikojë në strukturën e shpenzimeve të qytetarëve dhe është e pamundur nëse nuk e kemi miratimin, të mendohet një optimizëm për hapa pozitivë apo për lëvizje pozitive të indikatorëve makro-ekonomikë dhe ekonomikë”,
thekson Gërxhaliu.

Në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, nëse gjatë këtij viti nuk miratohet buxheti 2011, në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm realizohen vetëm pagesat për nevoja emergjente, ndërsa pezullohen pagesat për investime kapitale.

Por, nëse qeveria e ardhshme nuk formohet në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, Nagip Skënderi thotë se duhet të gjenden mekanizma ligjorë, në mënyrë që të realizohen pagesat për nevojat emergjente, duke përfshirë këtu pagat e punëtorëve.

“Atëherë kjo sjell një situatë, respektivisht që përmes ndonjë urdhër-dekreti të ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës, së bashku me qeverinë e shkarkuar, apo qeverinë jashtë mandatit të saj, të ndërmarrë masa për nevoja emergjente, e nevoja emergjente janë edhe pagat”,
thekson Skënderi

Ndërkaq, Safet Gërxhaliu, lidhur me këtë shprehet:

“Është e vërtetë se në tre muajt e parë mund të gjendet ndonjë zgjidhje përmes rezervave të ndryshme. Por, sidoqoftë është koha kur duhet të gjendet ndonjë kompromis. Unë, sa jam duke i parë rrethanat, shkurti do të jetë një muaj, që Kosovën do ta gjejë pa institucione dhe qeveri”.

Në anën tjetër, ekspertët shfaqin drojën se situata e krijuar politike pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, dhe zvarritja e miratimit të buxhetit mund të ndikojë negativisht edhe në tërheqjen e investimeve të huaja.

Lexoni edhe këto:

Jostabiliteti politik dhe investimet e huaja
Synimet për zhvillim ekonomik
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG