Ndërlidhjet

logo-print

Opozita flet për zgjedhje të manipuluara

  • RFE /RL

Zgjedhjet në Bjellorusi

Zgjedhjet në Bjellorusi


Zgjedhjet në Bjellorusi pritet t’ia zgjasin mandatin 16-vjeçar presidentit Aleksandër Lukashenkos, edhe për pesë vjetët të ardhshëm. Të nëntë kundër-kandidatët e Lukashenkos, kanë pasur probleme administrative, të cilat janë bërë të rëndomta për cilindo kandidat opozitar në Bjellorusi.

Ende pa përfunduar votimi, shumë kandidatë të opozitës kanë njoftuar për manipulime dhe parregullsi zgjedhore. Ata kanë bërë thirrje për protestë në Sheshin e Tetorit në Minsk, pas mbylljes së procesit të votimit.

Në mesin e tyre është ish-zëvendësministri i Jashtëm, Andrei Sanikau, i cili dha dorëheqje më 1996 dhe iu bashkua opozitës kundër Lukashenkos.

“Është e qartë se Komisioni Zgjedhor do t’i shpallë rezultatet në favor të Lukashenkos. Në secilin shtet normal, me kaq shumë kandidatë, zgjedhjet në mënyrë automatike do të duhej të shkonin në balotazh. Nëse na thonë se (Lukashenko fitoi më shumë se 50 për qind të votave) nuk ka raund të dytë, kjo nënkupton se rezultatet janë të rreme dhe të manipuluara. Ne do të protestojmë kundër kësaj”
, tha Sanikau.

Zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi

Kandidati për president - kreu i lëvizjes opozitare “Thuaje të vërtetën”, Vladimir Neklajev, pritet të dalë i dyti pas Lukashenkos. Ai tha se i vetmi mekanizëm për të kundërshtuar manipulimet zgjedhore është pjesëmarrja në protestë pas mbylljes së votimit.

Edhe një kandidat tjetër për president, Mikalai Statkjeviq, i tha Radios Evropa e Lirë se edhe para ditës së zgjedhjeve procesi nuk ka qenë i lirë dhe i drejtë.

“Ata që kanë shpresuar për një lloj liberalizimi, për një lloj të raundit të dytë, mendoj se kanë gabuar shumë. Nuk kemi shans tjetër, pos t’i shtyjmë me forcë kah demokracia. Dhe, është vetëm një instrument për këtë - Sheshi”
, tha Statkjeviq.

Por, korrespondentët në Bjellorusi thonë se entuziazmi politik është i vogël në mesin e temperaturave që ngrijnë dhe rrugëve me borë dhe akull të Minskit. Kjo rrit dyshimin se Sheshi i Tetorit mund të mbledhë protestues të mjaftueshëm për të pasur efekt.

Bashkimi Evropian është munduar që ta dobësojë regjimin autoritar të Lukashenkos dhe ka kushtëzuar ndihmën e ardhshme financiare për Bjellorusinë me të paktën një lustër drejtësie.

Brukseli do të njoftohet nga 400 vëzhguesit e OSBE-së, të cilët janë shpërndarë në tërë vendin dhe do të raportojnë të hënën mbi ecurinë e zgjedhjeve.

Gjetjet e vëzhguesve të OSBE-së- së bashku me margjinën e fitores së Lukashenkos dhe mënyrës se si forcat e sigurisë merren me protestën opozitare - do të përcaktojnë se deri ku mund të shkojë BE-ja në angazhimin e saj karshi Bjellorusisë në të ardhmen.

Në anën tjetër, Lukashenko duket se ka rivënë raportet me Rusinë. Moska ishte e zemëruar me disa politika të jashtme dhe kishte qortuar Lukahsnekon.

Kjo kishte rritur shpresat te BE-ja se Lukashenko mbase mund të lejojë hapjen e ekonomisë dhe të lirojë pushtetin e tij autoritar në këmbim të mbështetjes financiare të BE-së. (a.i)
XS
SM
MD
LG