Ndërlidhjet

Debati mbi administratën publike


Parlamenti i Maqedonisë

Parlamenti i Maqedonisë

Partitë politike në Maqedoni vazhdojnë debatin për ndryshimet në administratën publike. Sipas opozitës, ndryshimet e ofruara do ta dëmtojnë edhe më shumë administratën, në veçanti në sferën e punësimeve. Por, partitë në pushtet thonë se ndryshimet e ofruara garantojnë përfaqësimin e bashkësive etnike, si dhe ngritjen e statusit të të punësuarve në administratë.


Të hënën rikthehet në Kuvend Ligji për organizimin e administratës publike, miratimi i të cilit dështoi para dhjetë ditëve, pasi shumica parlamentare nuk arriti të sigurojë 2/3 e votave të nevojshme. Tani miratimi i këtij ligji të debatueshëm do të bëhet në procedurë të përshpejtuar.

Pushteti vlerëson se propozimet e paraqitura do të mundësojnë që Maqedonia të bëjë edhe një hap para drejt përmbushjes së standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian për administratë efikase dhe jashtë ndikimeve partiake.

Por, opozita thotë krejt të kundërtën. Sipas saj, ndryshimet e ofruara do ta federalizojnë vendin në aspekt të punësimeve në administratën shtetërore.

“Me këtë ligj bëhet federalizimi i Maqedonisë në pjesën e punësimeve. Me amendamentin e pranuar, i mundësohet sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit që t’i punësojë vetëm shqiptarët apo përfaqësuesit e bashkësive tjera etnike, ndërsa maqedonasit t’i punësojë Ministria për Shoqëri Informatike, e cila me ndryshimet e reja do të jetë kompetente edhe për administratën shtetërore. Kjo është katastrofale”, vlerëson Jani Makraduli, nga Lidhja Socialdemokrate e opozitës.

Sipas kësaj partie, me ndryshimet e ofruara, hapet mundësia për largime nga puna, degradim të kuadrit ekzistues dhe ndëshkimin e tyre pa asnjë kriter të përcaktuar nga ana e sekretarit shtetëror të Ministrisë që emërohet nga partia politike.

Edhe nga Demokracia e Re, kritikojnë ndryshimet e ofruara, por në aspekt të përkeqësimit të, siç thonë, pozitës së shqiptarëve në administratë.

Vlerësimet e këtilla kundërshtohen nga partitë në pushtet. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se nuk mbajnë pretendimet për federalizim gjatë punësimeve, pasi, sipas deputetit, Safet Neziri, për çështjen e përfaqësimit që është kategori kushtetuese, përkujdeset sektori për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Edhe Ministria e Informatikës dhe institucionet tjera publike dhe shtetërore nuk mund të bëjnë plane vjetore sa i përket përfaqësimit të drejtë dhe adekuat pa e konsultuar sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. apo ndonjë organ që ka të bëj në të ardhmen drejtpërsëdrejti me përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë të bashkësive etnike në Maqedoni. Pra është një kategori avancuese sa i përket bashkësive etnike”
u shpreh Safet Neziri, deputet i BDI-së.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se ndryshimet e propozuara do të mundësojnë që Maqedonia të ketë administratë efikase. Sa i përket akuzave të opozitës, Zoran Petreski, nga kjo parti, thekson:

“Është legjitime që disa të mendojnë në një mënyrë, e të tjerët në mënyrë tjetër. Ne nuk kemi për qëllim ta dëmtojmë administratën, përkundrazi kemi qëllim ta përmirësojmë statusin e tyre dhe kushtet”.


Ekspertët, sikurse edhe përfaqësues ndërkombëtarë, disa herë kanë bërë qartazi me dije se çështja e reformave në administratë ka rëndësi të jashtëzakonshme në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, pasi pa një administratë profesionale, efikase dhe të depolitizuar nuk mund të ketë demokraci funksionale.
XS
SM
MD
LG