Ndërlidhjet

K. Jugore: Përfunduan manovrat ushtarake afër K. Veriore


Ushtria e Koresë Jugore thotë se sot i ka përfunduar ushtrimet ushtarake me të shtëna të vërteta artilerike, afër kufirit me Korenë Veriore.

Të shtënat nga artileria, që ishte e pozicionuar në ishullin Yeonpyeong, janë dëgjuar për afro 90 minuta.

Koreja Veriore konsideron se ujërat përreth këtij ishulli janë territor i saj dhe është kërcënuar me hakmarrje.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Koresë Jugore, Kim Young-sun, sot i ka hedhur poshtë pretendimet e Veriut ndaj ishullit.

- Ushtrimi në ishullin Yeonpyeong është i rregullt dhe i arsyeshëm, për mbrojtjen e ujërave tona dhe territorit. Rrjedhimisht, kjo është çështje e sovranitetit, tha Kim Young-sun.

Ky ishull ishte bombarduar nga Korej Veriore më 23 nëntor, me ç’rast u vranë katër jugkoreanë.

Para ushtrimeve të sotme, autoritetet i kanë urdhëruar civilët në ishull dhe të tjerët, që të strehohen, për shkak të shqetësimeve se Koreja Veriore do të mund të sulmonte përsëri.

Mbrëmë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, dështoi të arrijë pajtueshmëri për deklaratën lidhur me krizën koreane.
XS
SM
MD
LG