Ndërlidhjet

Kacin: Të hetohen thëniet nga raporti i Dik Martit

  • RFE /RL

Jelko Kacin

Jelko Kacin

Raportuesi i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin, tha se thëniet nga raporti i Dik Martit për tregti me organe në Kosovë, janë akuzë e rëndë, për të cilën duhet të zhvillohen hetime.

Zoti Kacin u tha gazetarëve në Beograd se hetimi për raportin e raportuesit special të Këshillit të Evropës, Dik Marti, është sfidë e madhe për drejtësinë në Shqipëri dhe Kosovë dhe se atyre u duhet ndihma ndërkombëtare.

“Duhet të aktivizohen edhe institucionet ndërkombëtare dhe kjo duhet sa më parë të hetohet. Nëse aty ka faktografi, atëherë kjo çështje duhet të mbyllet sa më parë. Nëse nuk ka, atëherë kjo duhet të spastrohet, sepse po e helmon atmosferën politike në Kosovë, Shqipëri, Sërbi dhe rajon”, tha zoti Kacin.

Kacin theksoi se ai raport ende nuk është miratuar, por është në formë të propozimit dhe se ajo që është publikuar deri tash, nuk jep të dhëna konkrete të mjaftueshme, në të cilat hetimi do të mund të koncentrohej.


Tadiq: Problemi i Kosovës tash do të shihet ndryshe
Boris Tadiq

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, vlerësoi se, pavarësisht ekzistimit të supozimeve për pafajësi, pas publikimit të raportit të Dik Martit, problemi i Kosovës do të shihet nga një prizëm tjetër nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

“Serbia ka pritur me vite para institucioneve ndërkombëtare për një raport të tillë. Kemi apeluar që të gjitha krimet të zbardhen, por këto apele në dekadën e kaluar nuk janë marrë seriozoisht".

"Tash, është një pamje tjetër dhe për këtë i falënderohem Dik Martit”, u tha Tadiq gazetarëve në Bazën e Njësive Speciale Anti-Terroristë në Batajnicë.

Tadiq vlerësoi se populli serb, gjatë viteve të kaluara, në opinionin ndërkombëtar është paraqitur si fajtori i vetëm për të gjitha ngjarjet në ish RSFJ-në. Por, pas raportit të Martit, sipas tij, një qëndrim i tillë “bie në ujë”.

Ai kërkoi hetim gjithëpërfshirës dhe të gjerë, që nënkupton konfirmimin e saktë nëse ka pasur krime të tilla në Kosovë dhe konfirmimin se kush është fajtor.

Tadiq shfaqi shpresën se hetimi i gjerë i këtij rasti do të ndriçojë dhe procesin e krijimit, siç tha ai, të “të ashtuquajturit shtetit të Kosovës”.

Duke u përgjigjur në pyetjen nëse pas raportit ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, Tadiq tha se ai përfaqëson interesat publike të Serbisë dhe nuk sillet në publik sipas simpative personale.

“Shumë herë jam takuar me njerëz, me të cilët nuk kemi asgjë të përbashkët. Kjo është puna ime. Edhe mjekët shërojnë njerëz, me të cilët nuk i lidh sistemi i njëjtë i vlerave”, tha Tadiq.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG