Ndërlidhjet

Vetëvendosje: Rinumërimi- shpëlarje e votave


Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar vendimin e KQZ-së për rinumërimin e vetëm 40% të vendvotimeve gjithandej nëpër Kosovë, duke kritikuar në të njëjtën kohë KQZ-në se nuk e ka bërë publik këtë vendim.

Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se zgjedhjet e 12 dhjetorit nuk ishin as demokratike e as të ndershme, si dhe i ka kontestuar rezultatet, sepse këto rezultate kanë qenë te bazuara në një mashtrim gjithëpërfshirës, sistematik dhe të organizuar.

“Në vend se të inicohet një hetim mbi votimin e shumëfishtë dhe mbushjen e kutive me vota të parapregatitura, KQZ-ja po e legjitimon krimin duke e bërë rinumërimin e pjesërishëm të kutive, shumë prej të cilave kanë qenë të hapura dhe kollaj mund të jenë mbushur edhe me fletëvotime jolegjitime gjatë bartjes”, thuhet në komunikatën për media të Vetëvendosjes.

“Ky vendim, si dhe vendimi që të mbahen ri-zgjedhje në vetëm 5 komuna të Kosovës ështe i pjesërishëm, me qëllim që të mbulohen dhe legjitimohen manipulimet në pjesë të tjera të Kosovës”, thekson lëvizja, duke i bërë thirrje KQZ-së që të fokusojë veprimet e veta në sic thuhet hetimin e krimit që ka ndodhur më 12 dhjetor, në mënyrë që përgjegjësit të japin llogari”.

“I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që mos ta mbështesin këtë rinumërim të pjesërishëm dhe këtë shpërlarje të votave, por të mbështesin kërkesat për hetim të pavarur dhe transparent të krimeve që u bënë gjatë këtyre zgjedhjeve”, thuhet në komunikatën për media të Lëvizjes Vetëvendosje.
XS
SM
MD
LG