Ndërlidhjet

logo-print

Koalicioni i ardhshëm me 75 vota në Parlament?


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të heqë dorë nga posti i kryeministrit, të cilin do ta marrë nën drejtim për herë të dytë lideri i saj, Hashim Thaçi, thotë Memli Krasniqi nga ky subjekt politik. Sipas Krasniqit, PDK-ja dhe partnerët e ardhshëm në qeveri do të kenë të paktën 75 vota në Parlament. Ndërkohë, Aleanca Kosova e Re rikonfirmon interesimin e saj që posti i presidentit të Kosovës në formulën e ardhshme qeverisëse, t’i besohet Behxhet Pacollit.


Partia Demokratike e Kosovës, e cila në bazë të rezultateve preliminare është fituese e zgjedhjeve, shpreson se do të lidhë një koalicion qeverisës, i cili do të sigurojë të paktën 75 vota në Parlament.

Përderisa është në kërkim të partnerëve me të cilët do të qeveriste mandatin e ardhshëm, PDK-ja e përjashton çdo mundësi që të bëjë kompromise në lidhje me postin e kryeministrit, të cilin thotë se elektorati ia ka besuar liderit të saj, Hashim Thaçit.

Zyrtari i kësaj partie politike, Memli Krasniqi, thotë se negociatat konkrete për qeverinë e re do të nisin pas rivotimeve të pjesshme të 9 janarit dhe pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Takimi i parë, sipas PDK-së, që kishte për qëllim bisedimet në lidhje me koalicionin e ardhshëm, është realizuar ndërmjet kryetarit të kësaj partie, Hashim Thaçit, dhe atij të Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli.

Krasniqi thotë se PDK-ja dhe partnerët do të kenë numra të mjaftueshëm për formimin e qeverisë së re.

“PDK-ja, bashkë me partnerët, jo vetëm se do të ketë shumicën e nevojshme, por do të ketë një shumicë stabile me së paku rreth 75 vota në Kuvend. Por, për sa u përket detajeve të marrëveshjes për qeverisje, do t’i bëjmë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”
, thotë Krasniqi.

Takimi i së shtunës së kaluar ndërmjet Thaçit dhe Pacollit ka qenë spontan dhe nuk bëhet fjalë për asnjë marrëveshje për koalicion, thotë nënkryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari Lila. Në çdo rast, ajo preferon që AKR-ja, përkatësisht kryetari i saj Behxhet Pacolli ta marrë nën udhëheqje postin e presidentit të Kosovës.

Pano të AKR-së në fushatën parazgjedhore.
“AKR-ja ka nominuar kryetarin e saj, Behxhet Pacolli, për president të Kosovës. Kjo mbetet një prej kërkesave që AKR-ja i ka në raport me partnerët e mundshëm të koalicionit. Por natyrisht, çdo gjë do të mbetet dhe do të shihet si subjekt i diskutimit të mëtutjeshëm dhe negociatave që bëhen me partitë politike”
, thotë Kusari Lila.

Përderisa AKR-ja mbetet e lidhur për postin e presidentit, Memli Krasniqi e mohon çdo mundësi që PDK-ja të lëshojë postin e kryeministrit. Ai thotë se ky post është i liderit të saj, Hashim Thaçit.

“Në postin e kryeministrit absolutisht jo - për atë post ka vendosur qytetari i Kosovës. Thaçi ka qenë kandidat për kryeministër, ai e ka marrë besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është lideri më i besueshëm dhe më i votuar në vend. Normalisht se ai, këtë përgjegjësi, siç e ka kryer në mandatin e kaluar, do ta kryejë edhe në mandatin e ardhshëm”
, thekson Krasniqi.

Ndërkohë, Mimoza Kusari Lila thotë se AKR-ja nuk ka preferenca nëse do të shkojë në koalicion me partinë e parë apo të dytën, por me rëndësi, sipas saj, është që të formohet një qeveri funksionale dhe e bazuar në koncept të përafërt programor.

“Nuk ka ndonjë preferencë sa i përket partisë së parë apo të dytë. I rëndësishëm është zbatimi i një programi për qëndrueshmëri ekonomike, që qeverisja dhe bartja e funksioneve të jenë nga njerëz me duart të pastra, profesionistë dhe të përgjegjshëm, si dhe natyrisht marrja e dikastereve, me anë të të cilave mund të ndikohet në zbatimin e politikave për një zhvillim të qëndrueshëm
”, thotë Kusari Lila.

Në rast se partia e parë do të dështojë të formojë qeverinë, sipas Kushtetutës, nismën më pas e merr partia e dytë, që në këtë rast është Lidhja Demokratike e Isa Mustafës.

Koalicionit me PDK-në tashmë i janë përgjigjur negativisht LDK-ja dhe AAK-ja.

Komplikimet për gjetjen e formulës qeverisëse i shton edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila tashmë i ka vënë vijën e kuqe si PDK-së, ashtu edhe LDK-së e AAK-së.

Glauk Konjufca, nga Vetëvendosja, thotë se me asnjërën prej këtyre tri partive politike nuk do të lidhet koalicion.
Me këto parti politike nuk bëjmë koalicione, prandaj nuk do të ketë bisedime me to.

“Me këto parti politike nuk bëjmë koalicione, prandaj nuk do të ketë bisedime me to. Mendojmë po ashtu se ky ka qenë edhe qëllimi i manipulimit të zgjedhjeve, pra që të mbeten këta akterë politikë, që pushteti i ardhshëm të jetë si ka qenë edhe deri më tash, për shkak të pazarllëqeve politike që duan t’i kryejnë me Serbinë dhe me privatizimin e Kosovës... Prandaj, ne edhe e kundërshtojmë këtë rezultat të zgjedhjeve”, thotë Konjufca.

Sidoqoftë, aktualisht ka bisedime ndërmjet PDK-së, AKR-së dhe pakicave. Por, dilemat e PDK-së shtohen kur dihet se për formimin e qeverisë nevojiten të paktën 61 vota.

Se a do ta mbërrijë këtë kufi minimal, PDK-ja do ta mësojë pas 9 janarit, kur do të mbyllen rivotimet e pjesshme dhe kur do të bëhet ndarja e saktë e ulëseve në Kuvend për secilën parti politike që ka kaluar pragun e nevojshëm.

Lexoni edhe këto:
Partitë dhe OJQ-të: Proces i manipuluar
Analistët: Krizë institucionale…(?)
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG