Ndërlidhjet

logo-print

Polemika për përfaqësimin e shqiptarëve


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Opozita shqiptare në Maqedoni akuzon qeverinë për anashkalimin e shqiptarëve në institucione. Sipas Demokracisë së Re, ndër qindra punësime që janë bërë nëpër ndërmarrje të ndryshme, nuk është punësuar asnjë shqiptar. Por, nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se nuk bëhet fjalë për punësime të reja, por vetëm për rregullimin e statusit të të punësuarve. Pretendimet e partive janë komentuar edhe nga Avokati i Popullit.


Çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione ka shkaktuar polemika të shumta mes partive politike, pas të dhënave për punësimin e qindrave maqedonasve në më shumë ndërmarrje publike dhe institucione shtetërore.

Reagimeve u është bashkëngjitur së fundi edhe Avokati i Popullit, i cili, duke komentuar këto të dhëna, ka konfirmuar përqindjen jo të kënaqshme të përfaqësimit të shqiptarëve në kompanitë shtetërore, ndërsa sa i përket përfaqësimit në administratë, Ixhet Mehmeti, ka thënë se ajo arrin në 20 %. Kjo e fundit, sipas tij, mund të jetë shifër e kënaqshme, porse ky vlerësim nuk vlen edhe për përfaqësimin në ndërmarrjet publike.

Është shqetësuese gjendja nëpër institucionet tjera, siç janë ndërmarrjet publike e kështu me radhë. Atje duhet punuar shumë më tepër. Rekomandimi im drejtuar pushtetit ekzekutiv është që të krijojë mundësi ligjore për përfshirjen e etniteteve jo shumicë në institucionet si ndërmarrjet publike dhe të tjerat, që nuk i përkasin administratës publike”, ka thënë Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti.

Zyra e tij shumë shpejt do të dalë me raportin vjetor të punës, ku përfshihet edhe çështja e përfaqësimit, që është kategori kushtetuese e dalë nga Marrëveshja e Ohrit dhe që duhet të respektohet nga institucionet.

Sipas të dhënave të partive opozitare, në disa ndërmarrje publike dhe dikastere ministrore së fundi janë punësuar mbi 700 persona të përkatësisë etnike maqedonase dhe në shumë prej tyre as edhe një shqiptar.

Kjo, sipas partisë Demokracia e Re, flet për politikë diskriminuese të qeverisë aktuale kundrejt popullatës shqiptare.

Ditë më parë, vendime pune në administratën shtetërore morën 700 administratorë të rinj të etnitetit maqedonas. Në Ministrinë e Bujqësisë 300 maqedonas dhe asnjë shqiptar, në Ministrinë e Jashtme 70 maqedonas dhe asnjë shqiptar, në Hekurudhat e Maqedonisë 140 maqedonas e asnjë shqiptar, e kështu me radhë”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Demokracisë së Re, Arianit Hoxha.

Për këtë situatë, ai ka akuzuar drejtuesit e Sekretariatit të qeverisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi.

Por, nga qeveria thonë se nuk bëhet fjalë për punësime të reja, por për transferimin e punësimeve me kontrata në punësime të përhershme.

Nuk bëhet fjalë për punësime të reja në administratën shtetërore, por për rregullimin e statusit të personave, të cilët me vite kanë qenë të angazhuar me kontrata nëpër institucione të ndryshme. Me këtë nuk ndryshon as struktura etnike nëpër institucione, sepse personat në fjalë me vite marrin rrogë dhe atyre me vite iu paguhen të gjitha beneficionet tjera... Edhe atyre shqiptarëve që kanë qenë duke punuar me vite, iu rregullohet statusi njësoj”, ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha.

Sipas të dhënave të publikuara, përfaqësimi i shqiptarëve në ndërmarrjet publike sillet në 10 për qind, gjë që, sipas partive opozitare, është në kundërshtim me realitetin dhe pretendimin e pushtetit për rritjen e përqindjes së përfaqësimit të shqiptarëve në këto ndërmarrje, që ende janë me kapital shtetëror.
XS
SM
MD
LG