Ndërlidhjet

Thaçi: Marti të gjejë avokatë të mirë


Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi tha se do të padisë për shpifje raportuesin e Këshillit të Evropës, Dik Martin.

Në një raport të tij, Marti e akuzoi Thaçin se ishte "bos i krimit të organizuar që merret me trafikimin e drogës dhe organeve njerëzore”.

“Dik Marti le të përgatisë avokatë të mirë, nëse mund ta gjejë dikënd që mund ta mbrojë, sepse nën asnjë rrethanë, Dik Marti nuk do t’i shpëtojë drejtësisë për këto shpifje”, i ka thënë Thaçi agjencisë së lajmeve Reuters. Ai nuk ka dhënë detaje tjera.

Thaçi ka thënë se dyshimet për trafikim organesh janë hetuar tri herë.

“Së pari janë hetuar nga misioni i OKB-së në Kosovë pastaj nga institucionet lokale dhe Tribunali i Hagës dhe më vonë edhe nga EULEX-i”, ka thënë Thaçi.

Hetimi dyvjeçar i Martit është kërkuar nga Këshilli i Evropës, pas akuzave për trafikim organesh që i bënte në librin e saj “Gjuetia”, ish kryeprokuroja e Tribunalit të Hagës Karla del Ponte.
XS
SM
MD
LG