Ndërlidhjet

Thaçi: Marti të gjejë avokatë të mirë

  • RFE /RL

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se do të padisë për shpifje raportuesin e Këshillit të Evropës, Dik Marti.

Në një raport të tij, Marti e akuzoi Thaçin se ishte "bos i krimit të organizuar që merret me trafikimin e drogës dhe organeve njerëzore”.

Në një intervistë për agjencinë Reuters, Thaçi tha se raporti synon t’i inkriminojë shqiptarët, por jo vetëm ata.

“Është një shpifje e kulluar që pretendon inkriminimin e dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë; është një pretendim për t’i inkriminuar të gjithë shqiptarët në rajon. Ai sulmon edhe Shtetet e Bashkuara, NATO-n, BE-në, si dhe Kombet e Bashkuara. Unë do të punoj që raporti të sqarohet deri në fund”, tha Thaçi.

Ai tha se do ta padisë raportuesin e Këshillit të Evropës.

“Dik Marti duhet të përgatisë avokatë të mirë, nëse do të mund të gjejë të tillë për ta mbrojtur, sepse në asnjë rrethanë Dik Marti nuk mund t’i ikë drejtësisë për këtë shpifje, mund të them të kulluar”, i deklaroi Thaçi agjencisë Reuters.

“Qëllimet e këtij raporti janë dëmtimi i imazhit të shtetit të Kosovës, popullit të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në rajon, ngadalësimi i njohjeve të pavarësisë së Kosovës, bllokimi i fillimit të bisedimeve Kosovë-Serbi, si dhe pengimi i ndërtimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit. Pra, është ndërhyrje politike”, tha Thaçi.

Ai deklaroi se dyshimet për trafikim organesh janë hetuar tri herë.

“Së pari janë hetuar nga misioni i OKB-së në Kosovë, pastaj nga institucionet lokale dhe Tribunali i Hagës, e më vonë edhe nga EULEX-i”, tha Thaçi.

Kryeministri në dorëheqje shtoi se ka edhe të tjerë që e kritikojnë raportin e Dik Martit.

“Këto ditë jam në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet politike ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe të gjithë e quajnë një raport ‘horror’”, deklaroi Thaçi.

Ai tha se populli i Kosovës ka zhvilluar luftë çlirimtare dhe të pastër, prandaj ka fituar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të NATO-s dhe të vendeve të Bashkimit Evropian.

“Populli i Kosovës ka zhvilluar një luftë për liri. Pikërisht këto përpjekje për respektimin e standardeve ndërkombëtare kanë bërë që të fitojmë mbështetjen e gjithë botës”, tha Thaçi.

“Dik Marti ka qenë vazhdimisht kundër bombardimeve të NATO-s, kundër pavarësisë së Kosovës, ka punuar kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës, prandaj nuk është edhe rastësi trillimi i tij i radhës me miqtë e tij anti-pavarësi, anti-Kosovë dhe anti-shqiptarë”, tha Thaçi.

Hetimi dyvjeçar i Martit është kërkuar nga Këshilli i Evropës, pas akuzave për trafikim organesh që i pati bërë në librin e saj “Gjuetia” ish-kryeprokuroja e Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte. (v.p.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG