Ndërlidhjet

Mërfi: SHBA-të janë partnere të fuqishme të Kosovës


Uashington

Uashington

Zëvendësambasadori amerikan në Prishtinë, Majkëll Mërfi, ka thënë sot se marrëdhëniet dhe partneriteti i SHBA-ve me Kosovën nuk janë dëmtuar nga raporti i Dik Martit, i cili akuzon disa ish-udhëheqës të UÇK-së dhe kryeministrin Thaçi për veprimtari kriminale. “Departamenti amerikan i shtetit e ka bërë shumë të qartë kur ka thënë se nuk ka ndikime në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, ka thënë zëvendësambasadori amerikan, duke kërkuar nga Dik Marti që nëse ka prova, t’i paraqesë ato.


Raporti i Dik Martit nuk do të ndikojë në marrëdhëniet e mira dhe partneritetin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tashmë me Kosovën, ka deklaruar zëvendësambasadori amerikan në Prishtinë, Majkëll Mërfi.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një vizite në Graçanicë, në ceremoninë e diplomimit të Ekipit për Veprim në Mbrojtje të Komuniteteve.

Mërfi ka thënë se Departamenti i Shtetit tashmë e ka bërë të njohur qëndrimin amerikan në lidhje me raportin e raportuesit special të Këshillit të Evropës, Dik Marti, i cili akuzon disa nga ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe vetë kryeministrin Hashim Thaçi për aktivitete kriminale dhe trafik organesh në Kosovë.
Nëse ka ndonjë provë kredibile, ashtu siç ka thënë edhe EULEX-i dhe të tjerët, zoti Marti duhet t’ua paraqesë ato prova autoriteteve përgjegjëse për hetime të mëtutjeshme...

“Departamenti amerikan i shtetit e ka bërë shumë të qartë kur ka thënë se nuk ka ndikime në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. SHBA-të janë partnere të fuqishme të Kosovës”, ka thënë zëvendësambasadori Majkëll Mërfi.

“Gjithashtu mendoj se e kemi bërë të qartë se, nëse ka ndonjë provë kredibile, ashtu siç ka thënë edhe EULEX-i dhe të tjerët, zoti Marti duhet t’ua paraqesë ato prova autoriteteve përgjegjëse për hetime të mëtutjeshme”, ka thënë zëvendësambasadori amerikan.

“Unë kam qenë shumë i kënaqur kur kam dëgjuar kryeministrin të thotë se qeveria e tij dhe populli i Kosovës do të bashkëpunojnë me hetimet e këtilla”, ka thënë ai.

Zëvendësambasadori amerikan e ka përjashtuar mundësinë që raporti i Martit të ndikojë në imazhin dhe raportet e Kosovës e të popullit të saj me Shtetet e Bashkuara.

“Marrëdhëniet tona me qeverinë dhe popullin e Kosovës janë po aq të fuqishme sa kanë qenë gjithmonë dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë fuqishëm në ecjen përpara. Kemi synimet e njëjta për Kosovën, sikur që kanë edhe populli dhe Qeveria e Kosovës - e ato janë të shohim një Kosovë prosperuese, demokratike dhe shumëkombëshe, të integruar në familjen euroatlantike. Dhe, kjo nuk ka ndryshuar”, ka thënë zëvendësambasadori amerikan në Prishtinë, Majkëll Mërfi.

Raporti i Dik Martit vazhdon të kritikohet ashpër nga lidershipi kosovar dhe shoqëria civile. Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, përmes një editoriali të botuar në media, ka vlerësuar se raporti i Martit dhe akuzat për trafikim të organeve njerëzore nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, janë të pabaza dhe të padëshmuara.

Vetë raporti, sipas Krasniqit, është politikisht i njëanshëm, tendencioz, qëllimkeq dhe me përmbajtje tmerrësisht raciste dhe antishqiptare.

Ndërkaq, kryeministri në largim, Hashim Thaçi, ka thënë se akuzat se është mafioz dhe trafikant me organe njerëzore, janë “propagandë naziste”.

Ndaj raportit të Martit ka reaguar edhe koalicioni i 200 organizatave joqeveritare “Demokracia e Bashkuar”.
Raporti i mbështetur në paragjykime, hamendje dhe i motivuar politikisht, është fyerje për të gjithë qytetarët e Kosovës...

Sejdi Demiri, drejtori i këtij koalicioni, ka thënë se raportet e tilla pa fakte, por që mbështeten në paragjykime, nuk mund të njollosin luftën e drejtë të UÇK-së dhe Kosovës për liri e pavarësi.

“UÇK-ja ka qenë, është dhe do të mbetet personifikim qytetar i luftës për liri, dinjitet dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut. Andaj, konsiderojmë se raporti i mbështetur në paragjykime, hamendje dhe i motivuar politikisht, është fyerje për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të gjithë miqtë e saj”, është shprehur Demiri.

Shoqëria civile thuhet se mbetet e përkushtuar në mbrojtje të së vërtetës, pavarësisht se cila është ajo. Këto organizata joqeveritare kanë aprovuar edhe një deklaratë, të cilën kanë thënë se do t’ia dërgojnë edhe Këshillit të Evropës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG