Ndërlidhjet

Krasniqi: Drejtësia ta thotë fjalën e saj


Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi ka kërkuar nga drejtësia që urgjentisht të merret me trajtimin e raportit të Dik Martit, në të cilin akuzohet kryeministri Thaçi se ka qenë i përfshirë "në trafikim me drogë dhe organe njerëzore".

Pasi që ka hedhur poshtë raportin, duke thënë se “është i mbushur me shpifje, gënjeshtra dhe me përmbajtje raciste”, Krasniqi megjithatë, ka kërkuar nga drejtësia, që ta thotë fjalën e saj.

“Ne kërkojmë nga drejtësia që urgjentisht të merret me trajtimin e kësaj lënde, sepse sa më parë që ajo ta thotë fjalën e vet përfundimtare, aq më i vogël do të jetë dëmi publik, që na është bërë dhe aq më shpejt do të vendoset në vend dinjiteti ynë i nëpërkëmbur”, ka thënë Krasniqi, në një shkrim autorial.

“Unë besoj në drejtësinë, prandaj jam i bindur që ajo një ditë do të hedhë dritë të plotë mbi këto kualifikime arbitrare, denigruese dhe shpifëse. Jam i sigurt se akuzat e Dick Martyt kurrë dhe në asnjë gjykatë ndërkombëtare, të asnjë niveli, nuk do të konfirmohen”, ka thënë ndër të tjera ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi.
XS
SM
MD
LG