Ndërlidhjet

Eklipsi i hënës

  • RFE /RL

Eklipsi i fundit i hënës, 21 dhjetor 2010.

Eklipsi i fundit i hënës, 21 dhjetor 2010.

NASA njoftoi se të martën në mëngjes ka ndodhur errësimi i hënës. Eklipsi i fundit për këtë vit ka zgjatur për rreth 3 orë e 28 minuta. Ai ka nisur në 07:33 dhe, shikuar nga kontinenti evropian, ka qenë i pjesshëm.

Errësimi i plotë ka ndodhur në orën 08:41, kur Toka ka bllokuar plotësisht rënien e rrezeve të diellit në hënë, e cila kishte një ngjyrë të fortë bakri deri në 09:35.

E gjithë ngjarja ka mundur të shihet nga Amerika e Veriut, Grinlanda dhe Islanda. Nga Evropa Perëndimore është parë faza fillestare, ndërsa ajo e fundit ka qenë e dukshme në Azi.

NASA ka njoftuar se procesi i eklipsit ka mundur të shihet drejtpërsëdrejti përmes faqes së saj të internetit.

Errësimi paraprak i hënës ka ndodhur më 26 qershor të këtij viti. Eklipsi ngjan kur Toka ndodhet direkt ndërmjet diellit dhe hënës. Ajo errëson rrezet e diellit dhe lëshon hije mbi hënë. Kjo e fundit, në këtë pozitë, ndërron ngjyrën në të portokalltë ose të bakrit.

Hëna merr ngjyrën e re, sepse rreze të tërthorta të diellit megjithatë kalojnë përmes atmosferës së Tokës dhe i japin ndriçim të lehtë asaj. Grimcat shtesë në atmosferë, si për shembull ato nga shpërthimet vullkanike, bëjnë që hëna të marrë një nuancë të errët të së kuqes.

Për dallim nga eklipsi i diellit, ai i hënës mund të shikohet në mënyrë të sigurt pa syza apo ndonjë pajisje tjetër mbrojtëse.

Errësimi i hënës zgjat shumë më shumë se i diellit, sepse hija e tokës është disa herë më e madhe se e hënës.

Eklipsi i hënës, si një dukuri spektakolare astronomike, në të kaluarën shpesh interpretohej si një shenjë e keqe, që i paraprinte rrëzimit të ndonjë sistemi.

Shembull për këtë paraqet eklipsi gjatë rrethimit të Konstantinopojës më 1453, e që më pas u përmbyll me rënien e qytetit dhe shembjen e Perandorisë Bizantine. (v.t.)


XS
SM
MD
LG