Ndërlidhjet

Nga gjithsej 760 vendvotime, në dy ditët e fundit janë rinumëruar vetëm 185 prej tyre, kanë bërë të ditur zyrtarë të Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve. Sipas tyre, ky proces nuk mund të përfundojë edhe për disa ditë.

Burim Ahmetaj, koordinator i QNR-së, ka njoftuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për, siç ka thënë, parregullsitë që po vërehen gjatë rinumërimit.

“Ka ndryshime themelore në formularët origjinalë me formularët e vjetër në lidhje me votat e kandidatëve. Pra, gjithmonë votat e kandidatëve janë ato që bëjnë ndryshimin në mes të formularëve të rinj dhe formularëve të vjetër, në veçanti me formularin e rezultateve. Rekomandimi i QNR-së është që procesi i rinumërimit të vendvotimeve të vazhdojë”, ka thënë Ahmetaj.

Por, disa anëtarë të KQZ-së kanë kritikuar QNR-në për hapa të ngadaltë në rinumërimin e rezultateve. Zoti Ahmetaj u është përgjigjur kritikave:

“Sa i takon dinamikës, procesi është duke ecur me një ritëm paksa të ngadalshëm. Na duhet të punojmë në bazë të proceduarave të numërimit sikurse në vendvotime”
, ka thënë ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet t’i marrë rekomandimet nga Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve pasi të ketë përfunduar procesi i rinumërimit të të gjitha votave në 760 vendvotimeve.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka përsëritur se, varësisht nga raporti i QNR-së, mund të ketë edhe anulime të vendvotimeve ose votave, nëse evidentohen parregullsi të mëdha.

“Në bazë të rekomandimeve të QNR-së, ka mundësi të anulohen - gjë që unë përsëri e them - ka mundësi për anulime nëse ka parregullsi të mëdha. Kur ta kemi përfundimisht rezultatin e QNR-së lidhur me kutitë që rinumërohen, ne do ta dimë edhe nivelin e parregullsive, edhe nivelin e asaj se sa kuti kanë qenë në përputhje”,
ka thënë Daka.

Rinumërimi i 760 vendvotimeve ka ardhur si pasojë e mospërputhjes në mes të formularëve dhe votave në kutitë e votimit.

Blerim Burjani, anëtar i KQZ-së nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se duhet të rinumërohen edhe vendvotime të tjera, nëse ka dyshime për parregullsi.

“Duhet të vazhdojë ky proces edhe më tutje, deri në nxjerrjen e një përfundimi të qartë dhe deri te një saktësi e qartë. Në rast se ka mospërputhje në mes të formularëve të rezultateve të partive politike dhe formularëve për përputhje të rezultateve të kandidatëve, duhet të ketë anulime - nëse as procesi i rinumërimit nuk gjen zgjidhje”
, ka deklaruar Burjani.

Pothuajse të gjitha partitë politike kanë shprehur dyshime se nëpër komisionet komunale ka pasur keqpërdorime, ku thuhet se votat e njërit kandidat i janë shënuar kandidatit tjetër.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG