Ndërlidhjet

Kalkulimet për koalicion


Pano të fushatës parazgjedhore...

Pano të fushatës parazgjedhore...

Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë thonë se negociatat e dobishme për koalicionin e ardhshëm qeveritar, mund të nisin tek pas përfundimit të rivotimeve në disa komuna dhe certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ata flasin për mundësitë e krijimit të koalicionit, ndërsa i vlerësojnë të pakta opsionet e Partisë Demokratike të Kosovës që deri më tani prin me numrin e votave të fituara.


Edhe pse disa parti politike tashmë kanë nisur bisedimet rreth krijimit të koalicionit për qeverinë e re të Kosovës, llogaritjet më të sakta duket se mund të bëhen tek pas 9 janarit, 2011, kur të përfundojnë rivotimet e pjesshme dhe kur të bëhet ndarja e saktë e ulëseve në Kuvend, për secilën parti politike që ka kaluar pragun zgjedhor.

Publicisti Halil Matoshi thotë se krijimit të koalicionit duhet t’i paraprijë certifikimi i rezultateve përfundimtare për zgjedhjet parlamentare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Ato nuk mund të lidhen, mund të bëhen vetëm deklarime për qejfet e tyre. Në aspektin e legjitimitetit politik, nuk mund të bëhet kurrfarë koalicioni pa e marrë një vendim valid KQZ-ja dhe pa u certifikuar zgjedhjet e lira parlamentare të 12 dhjetorit, thotë Matoshi.

Partisë Demokratike të Kosovës, e cila, bazuar në rezultatet preliminare të zgjedhjeve, ka numrin më të madh të votave, thuhet se do t’i duhen partnerë për krijimin e një qeverie stabile.

PDK-ja, ditë më parë, nisi bisedimet për koalicion me Aleancën Kosova e Re dhe me disa nga partitë e pakicave, duke synuar të mbledhë numrin e nevojshëm prej 61 votave të deputetëve.

Koalicioni i qëndrueshëm, sipas analistit Driton Lajçi, do të përbëhej nga PDK-ja, AKR-ja, partitë e pakicave dhe AAK-ja.
Partia Demokratike duket se dëshiron ta përfshijë edhe AAK-në në koalicion, në mënyrë që të ketë stabilitet të qeverisë dhe të qeverisjes.

“Partia Demokratike duket se dëshiron ta përfshijë edhe AAK-në në koalicion, në mënyrë që të ketë stabilitet të qeverisë dhe të qeverisjes, e njëkohësisht nuk do që të ketë opozitë të fortë. Me AAK-në në opozitë, megjithatë, krijohet një opozitë shumë e fortë dhe as kryeministri e as Partia Demokratike nuk duan që fatin e qeverisë së tyre ta lënë në duart e AKR-së”, thotë Lajçi.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, deri më tani, kanë hedhur poshtë mundësinë për të hyrë në koalicion me PDK-në.

Kjo e fundit vazhdon ta shohë si mandatar për krijimin e qeverisë së ardhshme kreun e saj, Hashim Thaçin. Analisti Matoshi flet për opsionet e liderit të PDK-së:
Duket se, kësaj radhe, zoti Thaçi nuk ka shumë luks për të zgjedhur...

“Duket se, kësaj radhe, zoti Thaçi nuk ka shumë luks për të zgjedhur, sepse ai, siç duket, do të mbetet me një qeverisje me legjitimitet të dyshimtë dhe me një qeverisje të brishtë, e cila do të përbëhej vetëm nga PDK-ja, partitë e pakicave të Kosovës dhe AKR-ja e zotit Pacolli”.

Matoshi thekson se deri në certifikimin e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, mund të shtohen ankesat e kandidatëve të partive politike për deputetë, pastaj ankesat drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës e eventualisht edhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Për shkak të parregullsive të evidentuara në të dhënat e formularëve për zgjedhjet parlamentare, aktualisht Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve është duke rinumëruar votat në rreth 760 vendvotime – me mundësi të rritjes së numrit të vendvotimeve, të cilat duhen rinumëruar.

Numri i madh i parregullsive në procesin elektoral, kohë më parë kishte shtyrë KQZ-në të vendosë që më 9 janar të vitit të ardhshëm, të përsëriten zgjedhjet parlamentare në Skenderaj, Drenas, Deçan, në një qendër votimi në Lipjan dhe në një tjetër në Malishevë.
XS
SM
MD
LG