Ndërlidhjet

logo-print

Regjistrimi i popullsisë: Pa ndikime nga situata politike


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Situata e krijuar politike pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit nuk do të pengojë procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, thonë autoritetet përgjegjëse. Sipas tyre, janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që ky proces të realizohet në tërë territorin e Kosovës.



Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave do të realizohet në pjesën e parë të muajit prill të vitit të ardhshëm, thonë autoritetet përgjegjëse.

Edita Tahiri, ministre në largim e Administratës Publike, thotë se ky proces nuk do të pengohet nga situata e krijuar politike pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

Në pranverën e vitit të ardhshëm, shumica e vendeve të botës do të bëjnë regjistrimin e popullsisë, andaj as Kosova, shton Tahiri, nuk do të përjashtohet nga kjo periudhë.

“Tranzicioni që kemi tash pas zgjedhjeve nacionale, nuk mund të ndikojë në këtë proces. Bartësit e procesit janë: Enti i Statistikave të Kosovës, Zyra për Regjistrim të Popullsisë si dhe Komisioni Qendror për Regjistrim”.

“Ministria e Administratës Publike është po ashtu bartëse. Ministria është në veprim dhe ministrat praktikisht janë në detyrë - ne jemi në shkuarje, por nuk e lëshojmë zyrën pa ardhur tjetri për ta marrë. Kështu që nuk ka asnjë vakuum në këtë kuptim”
, thekson Tahiri.

Procesi i regjistrimit nuk ka karakter politik, thotë Rifat Blaku, udhëheqës i Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave. Ai shpreh bindjen se projekti në fjalë nuk do të ndikohet nga situata politike.

Pamje në Prishtinë...
Blaku thotë janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për procesin e regjistrimit.

“Zhvillimet politike nuk do të reflektohen, sepse përgatitjet kanë filluar tashmë sa vite dhe projekti vazhdon. Projekti nuk është politik, por është aksion ekskluzivisht për prodhime të statistikave, kështu që (politika) absolutisht nuk reflektohet”, shprehet Blaku.

Ai thotë se regjistrimi i popullsisë do të realizohet në tërë territorin e Kosovës, duke shpresuar se ky proces nuk do të kundërshtohet nga banorët serbë të veriut.

Blaku është optimist, meqë, siç thotë, në testin provues të 2008-ës, pjesëmarrja e serbëve ka qenë mbi 70 për qind.

“Projekti është sipas normave, standardeve, rekomandimeve ndërkombëtare dhe zbatohet në tërë territorin e Kosovës. Të gjithë qytetarët do të jenë përfitues”.

“Jemi në bashkëpunim me gjithë bashkësinë ndërkombëtare dhe çdo situatë eventuale - ne nuk kemi zëra ta tillë për mos pjesëmarrje të serbeve në regjistrim - jam i sigurt se do të tejkalohet duke mos e dëmtuar askënd”
, thotë Blaku.

Kostoja e regjistrimit të popullsisë vlerësohet të jetë rreth 11 milionë euro. Regjistrimi i fundit është bërë para 30 vjetësh nga pushteti i atëhershëm serb.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG