Ndërlidhjet

logo-print

Kur disa centimetra borë paralizojnë aeroportet

  • RFE /RL

Në aeroportin Heathrow të Londrës, 21 dhjetor 2010.

Në aeroportin Heathrow të Londrës, 21 dhjetor 2010.

Disa centimetra borë ia kanë dalë t’i paralizojnë aeroportet evropiane dhe stacionet e trenave, duke bllokuar dhjetëra-mijëra udhëtarë dhe duke shkaktuar vonesë fluturimesh deri pas pushimeve të Kërshëndellave. Meteorologët thonë se ky mund të jetë dimri më i keq që ka goditur Evropën që nga fillimi i shekullit XX. Perëndimi ndoshta duhet të kërkojë këshillë nga kryeqyteti që është mësuar të përballet me borën - Moska.



Në ditën më të errët të vitit, bora ka mbuluar qytetet më të mëdha të Evropës. Dhjetëra mijëra udhëtarë të bllokuar presin në radhë në aeroporte, duke parë se si po u ikin pushimet e tyre.

Edhe pse që nga e shtuna nuk ka reshje të mëdha të borës në Londër, ekipet ende po luftojnë me heqjen e akullit nga aeroplanët në Heathrow - aeroportin me më shumë fluturime në Evropë.

Vetëm njëra nga dy pistat kryesore të aeroportit është e hapur. Pothuajse gjysma e fluturimeve pritet të anulohen sot.

Një tjetër aeroport i madh i Londrës, Gatwick, është rihapur sot, pasi që ishte mbyllur të hënën në mbrëmje. Një zëdhënës i aeroportit tha se vonesat e mëtejme ishin të paevitueshme.

Aeroportet tjera të mëdha evropiane, përfshirë atë të Frankfurtit dhe Brukselit, janë përballur po ashtu me një varg anulimesh. Grupi i kontrollorëve të trafikut ajror, që mbikëqyr 38 shtete evropiane, tha se 22 mijë fluturime janë anuluar të hënën.



Komisionari evropian për transportin, Sim Kallas, qortoi operatorët e aeroporteve për atë që e quajti kaos “të papranueshëm“ të udhëtimit në kontinent. Zëdhënësja e komisionarit, Helena Kearns, lexoi deklaratën e Kallasit:

“Aeroportet duhet ta marrin seriozisht planifikimin e këtyre kushteve të këqija të motit. Ne kemi parë në vitet e kaluara se bora në Evropën perëndimore nuk është një gjë e jashtëzakonshme. Një përgatitje më e mirë, ashtu siç është bërë në Evropën veriore, nuk është ndonjë opsion shtesë në këtë fazë. Është dashur të planifikohen dhe të bëhen investimet e nevojshme”, tha Kearns.

Në aeroportin Sheremetjevo të Moskës, ku gjatë natës kanë rënë 10 cm të tjera borë, operacionet e fluturimeve po zhvillohen pa u ndalur.

“Në tre vjetët e kaluar kam punuar në zyrën për informim në aeroportin Sheremetjevo dhe aeroporti asnjëherë nuk është mbyllur, as edhe për një ditë”,
tha zëdhënësi Roman Genis.

Ai tha se ekziston një rutinë për përgatitjet dimërore. Ekipet dhe makineritë përgatiten për dimër që në mesin e muajit tetor, në mënyrë që të jenë gati para borës së parë.

“Ne kemi shumë makineri. Kur ka shumë borë, të gjitha makinat i nxjerrim jashtë dhe ato pastrojnë pistat për pak minuta. Ndërsa njëra pistë pastrohet, tjetra pranon aeroplanët dhe pastaj bëhet ndërrimi, tjetra pastrohet, aeroplanët mund të aterojnë në pistën e pastruar”,
sqaroi Genis.

“Ajo që për evropianët është si Armagedoni, për ne është jetë normale”
, tha Genis. (a.i.)
XS
SM
MD
LG