Ndërlidhjet

Pa shqetësime për virusin A-H1N1


Foto arkivi
Foto arkivi
Rasti i ri me virusin A-H1N1, i cili është shënuar në Kosovë, nuk duhet të jetë shkak për shqetësim dhe panik, thonë përfaqësuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë.

Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, thotë se pas evidencimit të rastit të parë për këtë sezon, është ngritur shkalla e kujdesit dhe e marrjes së masave preventive.

“Ne në Institutin Kombëtar kemi diagnostikuar rastin e parë të gripit A-H1N1. Menjëherë kemi ngritur shkallën e kujdesit dhe të përcjelljes së vazhdueshme, e cila edhe ashtu është duke u bërë çdo ditë në Institutin Kombëtar”.

“Nuk ka vend për panik. Ka vend vetëm për ndërmarrje të masave. Njerëzit të marrin masa parandaluese, në mënyrë që të mos përhapet”
, thotë Ramadani.

Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, thotë se duke pasur parasysh përvojën në të kaluarën, rasti i ri me virusin që ndryshe njihet edhe Grip i Derrave, nuk i ka zënë në befasi institucionet.

“Pavarësisht që kemi një rast të evidencuar dhe të konfirmuar zyrtarisht nga Qendra Kombëtare e Gripit, në Kosovë asnjëherë nuk kanë pushuar aktivitetet përgatitore për ballafaqim me situata të ndryshme epidemiologjike, sikurse mund të jetë rasti me virusin A-H1N1”.

“Në këtë aspekt, në Kosovë kanë vazhduar masat preventive, qoftë në nivelin edukativ, qoftë në shtimin e kapaciteteve, për t’u ballafaquar me rastet eventuale të kësaj natyre”
, thekson Hoti.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tashmë ka apeluar për ndërmarrjen e masave të përgjithshme në nivel të institucioneve, thotë Naser Ramadani.

Sipas tij, është apeluar për mirëmbajtje strikte të higjienës në shkollat e Kosovës, por edhe në institucionet tjera, të cilat mund të jenë burime të mundshme të infeksioneve, duke pasur parasysh nivelin e lartë të frekuentimit.

“Ne i kemi rekomanduar të gjitha ato masa që vlejnë në përgjithësi për gripin sezonal, sepse simptomat dhe shenjat klinike janë të njëjta... Jo të gjithë duhet të lajmërohen nëpër institucione spitalore, sepse mund të jetë edhe grip i zakonshëm. Nuk janë të gjithë gripat të rastit pandemik dhe do të bëhej një ngarkesë e madhe në këto institucione”.

“Vetëm ata qytetarë, të cilët kanë pengesa respiratore, kollitje të mëdha, temperaturë të lartë, dhembje në muskuj dhe ije, duhet të paraqiten te mjeku patjetër”,
thotë Ramadani.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë tregon se gjatë këtij viti është përuruar reparti për mjekim intensiv në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Andaj, sipas Faik Hotit, ekzistojnë sasi të mjaftueshme të medikamenteve dhe vaksinave kundër virusit A-H1N1, të cilat i ka sjellë më herët Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Klinika Infektive, duke qenë se është një klinikë që merret drejtpërdrejt me sëmundjet ngjitëse, me trajtimin e tyre, në vazhdimësi është e furnizuar”.

“Në këtë aspekt, kur kihet parasysh ajo hallka e funksionimit të organizuar në mes të Ministrisë, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Qendrës Klinike Universitare, mund të thuhet se ka përgatitje të mira për t’u përballur me rastet e reja eventuale”,
thekson Hoti.

Rasti i fundit i Gripit të Derrave është shënuar te një 37-vjeçar nga Prishtina.
XS
SM
MD
LG