Ndërlidhjet

Berisha fton Hagën të hetojë në Shqipëri


Sali Berisha
Sali Berisha
Qeveria shqiptare ka garantuar sot se do të krijojë lehtësira për EULEX-in dhe Gjykatën e Hagës, si dhe i ka ftuar që të shkojnë në Shqipëri për të hetuar rreth akuzave të deputetit zviceran, Dik Marti - hartuesin e raportit ku Kosova e Shqipëria akuzohen për trafiqe organesh dhe krim të organizuar.

Kryeministri Sali Berisha, i cili e cilësoi Dik Martin “një avokat të verbër të krimeve serbe dhe Serbisë së Madhe”, e ngarkoi ministrin e Drejtësisë shqiptare t’i dërgojë Gjykatës së Hagës një letër, ku do të garantohet se, pavarësisht se mandati i kësaj gjykate përmban vetëm Ish-Jugosllavinë, lejohet hetimi dhe në zonën shqiptare.

“Dik Marti t’i dorëzojë provat për autoritetet e EULEX-it, të dorëzojë çdo provë... Përndryshe, ai ka bërë një abuzim të rëndë me drejtësinë dhe shqiptarët”, ka thënë Berisha.

Kryeministri shqiptar ka thënë se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës duhet të zhvillojë hetime për akuzat, pasi në këtë raport të Martit, sipas tij, akuzohet kjo gjykatë se ka fshehur krimet.

“Janë lëshuar akuza direkte ndaj Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, se janë zhdukur provat. I takon kësaj gjykate të kërkojë se cilat prova ka zhdukur gjykata. Asnjë nga vendet e lira nuk ka qenë kurrë i interesuar që të fshihen dhe zhduken provat e krimeve të luftës".

"Aq më pak, mendoj dhe gjykoj unë, do të ketë qenë e interesuar Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Ndaj, duke ftuar gjykatën që t’i rinisë hetimet e kësaj çështjeje, e ftoj gjithashtu të qartësojë, sepse kjo përbën një akuzë ndaj gjykatës
”, ka theksuar Berisha.

Berisha ka thënë se në konfliktet në Ballkan, Shqipëria ka qëndruar gjithmonë në krah të paqes dhe ka luajtur rolin e zgjidhjes së konflikteve, ndërsa për Martin hedh dyshime se është i njëanshëm në raport, për shkak të qëndrimeve të tij karshi Kosovës.

“Kam pasur rastin të jem në Këshillin e Evropës. Ky zotëri, Marti, ka qenë një avokat i papërmbajtur i krimeve të shëmtuara mbi shqiptarët dhe unë dua të them se teza e tij kryesore në KE ka qenë kjo: Në Kosovë nuk ka ekzekutorë dhe viktima, nuk mund të pranohet që serbët të jenë ekzekutorë dhe shqiptarët viktima".

"Ky ka qenë lajtmotivi i tij për t’i mbrojtur krimet e luftës. Se kush i përzuri mbi 1 milion shqiptarë, se kush mbushi Kosovën me varre masive dhe Savën e Danubin me kufoma shqiptarësh, për Dik Martin kjo nuk kishte rëndësi. Ai në të gjitha rastet do të bënte avokatin e Serbisë së Madhe”
, ka thënë Sali Berisha në mbledhjen e Qeverisë.
XS
SM
MD
LG