Ndërlidhjet

Gjatë këtij viti, investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar një rritje solide krahasuar me një vit më parë, ndërsa interesimi i investitorëve për ambientin e biznesit ka qenë shumë më i madh se në 2009-ën, thonë autoritetet përgjegjëse.

Mustafë Hasani, kryeshef në Agjencinë për Promovimin e Investimeve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se viti 2010 ka shënuar rritje të investimeve deri në 3 për qind.

Në 2009-ën, investimet e huaja ishin në vlerë prej 310 milionë eurosh, apo 30 për qind më pak se në vitin 2008.

“Nuk kemi ende një statistikë të saktë. Në bazë të aktiviteteve që kanë ndodhur dhe investimeve që janë bërë, mund të pritet një trend i njëjtë, mund të jenë pak më shumë se në vitin e kaluar, por përafërsisht investimet e huaja edhe këtë vit janë në atë nivel që kanë qenë në vitin e kaluar - me një rritje shumë të vogël prej 2 ose 3%“, thotë Hasani.

Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se kjo rritje e investimeve është realizuar për shkak të privatizimit të kompanive të mëdha në vend.

Agron Demi, nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, thotë se autoritet kompetente nuk kanë krijuar strategji të duhur për investimet ndërkombëtare.

“Shkaqet për këtë janë përmendur disa herë, janë: strategjitë e dobëta të Qeverisë së Kosovës për t’i joshur investimet e huaja, ambienti i biznesit jo i përshtatshëm për investitorët e huaj, si dhe niveli i lartë i korrupsionit”.

“Këto përmenden si shkaqet kryesore edhe në raportin e Bankës Botërore ‘Të bësh biznes’”, thekson Demi.

Në raportet e ndryshme të mekanizmave ndërkombëtarë financiarë, gjatë këtij viti Kosova nuk është paraqitur në nivel të kënaqshëm sa i përket ambientit të biznesit.

Në një hulumtim të Bankës Botërore, Kosova është radhitur e 173-ta sa i përket mbrojtjes së investitorëve të huaj, në mesin e 183 shteteve ku janë bërë matjet.

Mustafë Hasani shpreh bindjen se gjatë 2011-ës, Kosova do të sigurojë ambient më të përshtatshëm për investitorët ndërkombëtarë. Ai thotë se do të bëhen përpjekje për eliminimin e procedurave të zgjatura për regjistrimin e bizneseve ndërkombëtare në Kosovë.

“Për regjistrimin e biznesit kërkohen 10 procedura dhe merr kohë 58 ditë, ndërsa kemi mundësi t’i kemi 5 procedura, që marrin kohë 20 ditë. Kjo, në mënyrë automatike - pra, ndryshimet që mund të vijnë nga rekomandimet që do t’ia bëjmë qeverisë se re – mund të ketë ndikime pozitive për një rangim më të mirë në raportin e Bankës Botërore”, thotë Hasani.

Ndërkaq, Agron Demi numëron hapat, që, sipas tij, duhet t’i ndërmarrin autoritetet përgjegjëse karshi investitorëve të huaj:

“Nevojitet që qeverisja e re ta shqyrtojë shumë më seriozisht punën e investimeve të huaja direkt, për shkak se një gjë e tillë është konsideruar si një ndër përfitimet më të mëdha që Kosova do t’i ketë pas pavarësisë... E kjo nuk po vërehet tre vjet pas pavarësisë”, thotë ai.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, që nga përfundimi i luftës, janë regjistruar mbi 3500 kompani të huaja.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG