Ndërlidhjet

logo-print

A do dëmtohen raportet nga dëbimet e diplomatëve?

  • RFE /RL

Ministri i Jashtëm britanik, Uilliam Hejg, dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov.

Ministri i Jashtëm britanik, Uilliam Hejg, dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov.

Rusia e ka quajtur “armiqësor” dëbimin e diplomatit rus nga Britania, i cili u akuzua për spiunim. Ministria britanike e Punëve të Jashtme njoftoi të martën se edhe Moska ka vepruar në mënyrën e njëjtë. Por, të paktën një ekspert thotë se këto dëbime nuk do të kenë ndikim në raportet që po shkojnë duke u përmirësuar mes dy vendeve.


Britania njoftoi të martën se një diplomat rus është dërguar në shtëpi, pasi që Ministria e Jashtme ka kërkuar dëbimin e tij në fillim të muajit. Në një deklaratë për media, Ministria e Jashtme tha se ka pasur “prova të qarta të aktiviteteve të shërbimeve ruse të informimit kundër interesave të Britanisë së Madhe”.

Por, Ministria ruse e Punëve të Jashtme e quajti dëbimin “të pabazë” dhe “armiqësor”.

Si kundërpërgjigje, Moska ndërmori një veprim të njëjtë. Londra tha se këtë muaj është kthyer nga Rusia një diplomat britanik.

Ministri i Jashtëm i Britanisë, Uilliam Hejg, mohoi se diplomati ishte agjent.

“Ne mbesim të hapur për një relacion më produktiv me Rusinë, sikur me çdo vend tjetër, në bazë të respektimit të ligjeve tona”, transmetoi BBC deklaratën e zotit Hejg.

BBC citoi një burim anonim të qeverisë të ketë thënë se dëbimet nuk janë të ndërlidhura me rastin e Katja Zatuliveterit, një ish-hulumtuese parlamentare, e akuzuar se po spiunonte për Rusinë. Moska, pas arrestimit të saj, ka akuzuar Londrën për “spiunomani”.

Dëbimet e këtij muaji janë të parat që kur raportet e dy vendeve ranë në nivelin e Luftës së Ftohtë, pas helmimit të ish-agjentit të KGB-së, Aleksandër Litvinenko, me substanca radioaktive në vitin 2006 në Londër. Në Britani besohet se Qeveria ruse qëndron pas vrasjes së kritikut të shquar të Kremlinit.

Në po atë vit, Moska i pati akuzuar diplomatët britanikë për spiunazh. Në atë kohë, aktivistë të një grupi të rinjsh pro Kremlinit patën sulmuar ambasadorin britanik në Moskë, ndërsa Kremlini kishte detyruar zyrat e Këshillit Britanik të mbyllen.

Por, raportet mes dy vendeve janë në përmirësim të vazhdueshëm dhe kjo u shënua edhe me vizitën e Hejgut në Moskë në tetorin e kaluar - vizitë kjo e nivelit më të lartë që nga afera e Litvinenkos.

Viktor Kremenjuk, nga Instituti për SHBA-të dhe Kanadanë në Moskë, tha se me gjithë reagimin e Rusisë për dëbimin e diplomatit të saj, nuk do ketë ndonjë efekt në trendin e përmirësimit të raporteve.

“Këto çështje merreshin seriozisht gjatë Luftës së Ftohtë, por tash nuk shihen si të jashtëzakonshme. Britanikët dëbojnë dikë, ne bëjmë të njëjtën gjë dhe pastaj qetësohemi
“, u shpreh Kremenjuk.

Ai tha se Britania në veçanti dëshiron të vazhdojë përmirësimin e raporteve, sepse nuk dëshiron të lihet anash në kohën kur lidhjet e Rusisë me Gjermaninë dhe shtetet tjera evropiane po forcohen.

“Britania beson se të jesh thjesht aleat lojal i Amerikës, nuk mjafton. Kështu që duhet të tregojë ca pavarësi. Qeveria e re e udhëhequr nga konservatorët dëshiron ta shfaqë këtë dallim nga qeveria paraprake laburiste“,
tha Kremenjuk.

Muajin e kaluar, kryeministri Dejvid Kamerun tha se do ta vizitojë Moskën në vitin e ardhshëm.

Ndërsa, sa u përket lajmeve të tjera në lidhje me spiunazhin, një grup i të rinjve, i ndërlidhur me partinë pro-Kremlinit Rusia e Bashkuar, ka thënë se spiunia e dëbuar nga SHBA-të, Ana Çapman, do të vihet në krye të grupit. (a.i.)
XS
SM
MD
LG